Biserko: Në regjistrimin e popullsisë në Mal të Zi patën gisht makina e propagandës, Kisha Ortodokse Serbe, patriarku Porfirije dhe Vuçiqi

by Merita

Qëllimi i Beogradit ishte që përqindja më e madhe e qytetarëve të deklaroheshin si serbë. Kësaj i ka paraprirë makina e propagandës, në krye me Kishën Ortodokse Serbe dhe patriarkun Porfirije, si dhe presidentin Aleksandër Vuçiq, dhe pothuajse të gjitha mediat në Serbi dhe Mal të Zi.

Kështu ka thënë për mediumin malazez Pobjeda Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi.

“Mali i Zi është një shtet laik që është ekspozuar ndaj klerikalizimit intensiv që nga viti 2020. Kjo u imponua nga Kisha Ortodokse Serbe (KPS) nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Beogradit. Që nga vitet nëntëdhjetë, Serbia është përpjekur të zhvlerësojë identitetin malazez dhe kurrë nuk e ka pranuar në themel ndarjen e Malit të Zi. Për shkak të një kombinimi rrethanash, në vitin 2020 pushtetin e morën partitë pro-serbe dhe proruse, të cilat u përpoqën të imponojnë sa më shumë identitetin serb duke anuluar gjithçka që është malazeze”, tha ajo.

Sipas Biserkos, synimet e Serbisë janë të qarta – të kthejë Malin e Zi në gjirin e tij.

“Mali i Zi është një prioritet i vazhdueshëm i nacionalizmit serb dhe është e vështirë të besohet se kjo do të ndryshojë së shpejti”, tha Biserko.

“Në rrethanat e dhëna gjeostrategjike, Mali i Zi është një zonë shumë e rëndësishme, veçanërisht duke pasur parasysh daljen e tij në detin Adriatik. Serbia sigurisht dëshiron të shkojë në det, gjë që do t’i jepte asaj një rëndësi strategjike shumë më të madhe. Në këtë kuptim, të gjithë janë në të njëjtën detyrë – një numër historianësh (si propagandistët kryesorë), politikanë dhe KOS, e cila është instrumenti kryesor i veprimit ndërkufitar”.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Mal të Zi, tregon se 41,1 për qind e qytetarëve janë deklaruar si malazezë dhe 32,9 për qind si serbë. Në vendet normale, regjistrimi shërben si udhërrëfyes për ekzekutivin për të përcaktuar politika të caktuara (demografike, ekonomike). Megjithatë, duke numëruar kombin, gjuhën dhe fenë, regjistrimi keqpërdoret për qëllime politike.

Qëllimi i Beogradit ishte që përqindja më e madhe e qytetarëve të deklaroheshin si serbë. Kësaj i ka paraprirë makineria propagandistike, në krye me KPS-në dhe patriarkun Porfirije, si dhe presidentin Vuçiq, dhe pothuajse të gjitha mediat në Serbi dhe Mal të Zi. Regjistrimi i fundit tregoi rritje të komunitetit serb me disa për qind, edhe pse jo aq sa priste Beogradi. Historiani Aleksandar Rakoviq madje pretendoi se mund të ketë më shumë se 40 për qind serbë

Në regjistrimin e vitit 1991, 61 për qind e popullsisë u deklaruan malazezë, ndërsa nëntë për qind u deklaruan serbë. Me ardhjen në pushtet të atij koalicioni në vitin 2020, u punua intensivisht për shpërbërjen e Malit të Zi, sepse në thelb ishte një luftë e politikave identitare. Mund të konstatohet se politika e Beogradit me një lloj lufte identitare ka qenë shumë e suksesshme, veçanërisht që nga viti 2020, kur në pushtet erdhën partitë proserbe dhe proruse me mbështetjen e Kishës Ortodokse Serbe dhe Beogradit.

Gjithsesi, duket se ky regjistrim e ka ndalur trendin e “çngjyrosjes” dhe se është e vështirë të imagjinohet se përqindja e serbëve do të vazhdojë të rritet.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy