Gjashtë miliardë eurot e Planit të Rritjes, së paku gjysma do të përdoren për infrastrukturë dhe lidhje

by Nexhat

“Të paktën gjysma e fondeve të përgjithshme do të mbështesin investimet në infrastrukturë dhe lidhjen, duke përfshirë transportin, energjinë dhe tranzicionin e gjelbër dhe dixhital.

Pjesa e mbetur e kredive do të lirohet si mbështetje direkte për buxhetet kombëtare”, thekson Komisioni Evropian për EWB (European Western Balkans), duke shpjeguar mekanizmat e shpenzimit të parave nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

banner

Fondet e para nga ky instrument financiar pritet të dalin së shpejti, pasi Komisioni Evropian të miratojë zyrtarisht Agjendat e Reformave të paraqitura nga Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, dhe Kosova. Nga ana tjetër, është e pasigurt nëse Bosnja dhe Hercegovina do t’i marrë paratë në të njëjtën kohë sepse ky vend është vonuar me miratimin e Agjendës së Reformave.

BE-ja synon të ndajë shtatë për qind të totalit të fondeve nga Plani i Rritjes për të gjithë partnerët në Ballkanin Perëndimor që miratojnë Agjendat e Reformave të vlefshme, si parafinancim. Ky mjet, që mbulon periudhën 2024-2027, është një mekanizëm financiar i BE-së me vlerë gjashtë miliardë euro, i miratuar me synimin për të dyfishuar rritjen ekonomike të rajonit në dhjetë vitet e ardhshme.

Nga shuma totale, dy miliardë euro do të shpërndahen si grante dhe pjesa e mbetur, katër miliardë euro, në formë kredie me interesa të favorshme. Përllogaritet se Serbia do të marrë 1.58 miliardë euro, Bosnja dhe Hercegovina 969 milionë, Shqipëria 922 milionë, Kosova 888 milionë, Maqedonia e Veriut 807 milionë, dhe Mali i Zi 383.5 milionë.

Duke folur për procedurat e lirimit të fondeve nga Plani i Rritjes, Komisioni Evropian shprehet për EWB-në se “do të kushtëzohet me zbatimin e suksesshëm të Agjendave të Reformave, që mbulojnë si reformat në fushën themelore ashtu edhe reformat socio-ekonomike, në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin Evropian”.

“Fondet në kuadër të lehtësive duhet të lirohen sipas një plani fiks gjashtëmujor, bazuar në kërkesën për lirimin e fondeve të paraqitur nga partnerët dhe pas verifikimit nga Komisioni për përmbushjen e kënaqshme të të dyja kushteve të përgjithshme lidhur me makro- asistencë financiare, menaxhim të shëndoshë të financave publike, transparencë dhe mbikëqyrje të buxhetit dhe kushteve përkatëse të pagesës, dhe me parakushtet që përfituesit të respektojnë parimet demokratike dhe të drejtat e njeriut”, thotë KE.

Komisioni Evropian shton se, në Agjendat e Reformave, “reformat ndahen në hapa sasiorë dhe cilësorë, të cilët do të shërbejnë si kushte pagese dhe çdo hap ka një afat kohor zbatimi”.

“Marrëveshjet e lehtësive dhe huasë do të përfshijnë detyrime për përfituesit për të ndërmarrë masat e duhura për të parandaluar, zbuluar dhe korrigjuar mashtrimin, korrupsionin, konfliktet e interesave dhe parregullsitë që prekin interesat financiare të Unionit, për të shmangur financimin e dyfishtë dhe për të ndërmarrë veprime ligjore për të rikuperuar fondet që janë përvetësuar, mbledhja e të dhënave adekuate për përfituesit e fondeve në kuadër të Instrumentit dhe të drejtat që duhet t’i jepen Komisionit, Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) dhe Zyrës së Prokurorit Publik Evropian (EPPO) aty ku është e aplikueshme”, sqaron KE.

Së fundi, Komisioni Evropian thekson se KE-ja “mund të zvogëlojë ose rikuperojë shuma nëse preken interesat financiare të Bashkimit ose nëse përfituesit kanë shkelur seriozisht një detyrim që rrjedh nga marrëveshjet e lidhura në kuadër të lehtësimit”.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy