Përfaqësuesit sindikalë ndërkombëtarë në Prizren kërkojnë trajtim të dinjitetshëm për minatorët e Kosovës

by Nexhat

Përfaqësuesit e sindikatave të minatorëve nga Shqipëria, ShBA-ja dhe Australia duke u solidarizuar me minatorët e Trepçës dhe të gjithë Kosovës kanë bërë thirrje për trajtim të dinjitetshëm të tyre nga autoritetet përkatëse.

Në kuadër të takimit të zhvilluar të hënën në Prizren, sindikatat e minatorëve të këtyre shteteve, kanë diskutuar për sfidat aktuale, duke kërkuar plotësimin e kërkesave të minatorëve të Trepçës dhe minatorëve tjerë të Kosovës për paga e pensione, përfshirë sigurinë në punë dhe trajtimin e drejtë të tyre

Gjatë konferencës për media, Ibrahim Januzi nga Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka bërë të ditur se gjatë takimit me homologët nga Shqipëria, ShBA-ja dhe Australia është diskutuar për sfidat e sindikalizmit në Kosovë, mungesën e dialogut social dhe shqetësimet lidhur me mos trajtimin e kërkesave të minatorëve nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës

Ndërsa presidenti i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, Gëzim Kalaja ka pohuar se përfaqësuesit e sindikatave kanë ardhur për të përkrahur kërkesat e minatorëve të Trepçës, që në fillim ishin pranuar nga Qeveria e Kosovës, por që deri më tani nuk janë zbatuar. Ai ka bërë thirrje Ekzekutivit të Kosovës që të realizojë premtimet ndaj minatorëve të Trepçës dhe për gjithë minatorët e Kosovës.

“Njëkohësisht duhet të realizoj pagat e tyre, pensionet e tyre, dhe statusin e minatorit që kërkohet nga minatorët e Trepçës dhe gjithë minatorët e Kosovës. I bëj thirrje gjithë sindikatave që të mbështesin sindikatën e minatorëve të Kosovës dhe më kryesorja është mbështetja ndaj minatorëve të Trepçës”, ka thënë Kalaja, duke shtuar se nuk duhet harruar kontributi i këtyre minatorëve gjatë periudhës së okupimit

Phil Smith nga Sindikata e Minatorëve në SHBA ka theksuar se presidenti i kësaj sindikate kohë më parë i ka shkruar autoriteteve ekzekutive të Kosovës për nevojën e trajtimin human dhe të drejtë të minatorëve të Kosovës. Ai ka ritheksuar të njëjtën porosi edhe të hënën.

“Është e rëndësishme të kuptohet se për kë po flasim. Këta janë njerëz që vënë jetën e tyre në rrezik për çdo ditë, duke u futur thellë në tokë, duke mundësuar nxjerrjen e mineraleve esenciale për këtë vend. Ata vetëm duan të sigurojnë kushte të mira për familjet, pensionet, dhe të kenë siguri në punë ashtu që në fund të ditës të kthehen tek familjarët e tyre. Pse është kaq shumë kjo për tu kërkuar?”, ka deklaruar ai, duke konfirmuar mbështetjen në këtë aspekt.

Steve Smyth nga Sindikata e punëtorëve të minierave dhe energjetikës në Australi ka theksuar se është njoftuar me sfidat e minatorëve të Kosovës sa i përket kushteve të punës, mungesës së pagave, pensioneve, dhe është zotuar se të njëjtat do të paraqiten para instancave kompetente për të gjetur zgjidhje të duhura.

Ai ka theksuar se janë të vetëdijshëm për punën e vështirë në këtë sektor dhe rreziqet gjatë punës dhe se për këto arsye minatorët “duhet të trajtohen me dinjitet dhe me respekt”.

“Jemi të dedikuar për këtë kauzë dhe nuk do të heqim dorë derisa të arrihen kushtet e kërkuara nga vëllezërit e motrat tonë në Kosovë”, është shprehur ai.

Ibrahim Januzi nga Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka bërë të ditur se bashkëpunimi me këto sindikata do të vijoj, edhe sa i përket përkrahjes rreth legjislacionit lidhur me çështjet e statusit social të minatorëve.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy