ZPS për Fadil Gecin: Do të flas për autorësinë e “komunikatës 59-të dhe për kërcënimet që Thaçi e Selimi ia kanë bërë Tahir Zemajt”

by Nexhat

Prokurori James Pace, përfaqësues i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) tha se dëshmitari Fadil Geci do të flas lidhur me autorësinë e komunikatës 59-të të lëshuar nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së.

“Dëshmitari ka luftuar gjatë luftës dhe ka pas pozicione të ndryshme brenda LDK-së, duke përfshirë këtu edhe postet drejtuese të LDK-së në Skenderaj. Dëshmitari jep informacion lidhur me themelimin e LDK-së, strukturën e saj, anëtarësimin dhe aktivitetet dhe marrëdhëniet në mes LDK-së dhe UÇK-së, duke përfshirë këtu edhe kërcënimet, sulmet nga pjesëtarët e UÇK-së kundër anëtarëve të LDK-së”, tha prokurori.

Prokurori Pace theksoi se kjo komunikatë e etiketonte vëllain e dëshmitarit, Gani Gecin, si bashkëpunëtor dhe se si e tillë ajo kishte pasoja negative mbi familjen e tyre, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Dëshmia e dëshmitarit përfshinë informacion që ka të bëjë me autorin e komunikatës 59 të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në tetor të ’98-ës që etiketon vëllain e tij, Gani Gecin si bashkëpunëtor si dhe ndikimin negativ dhe pasojën që ka pas kjo komunikatë mbi atë dhe mbi anëtarët e familjes dhe të tjerët”, tha prokurori.

Ndërsa, shtoi se do të japë informacion për kërcënimet që sipas tij, Thaçi dhe Selimi ia bënë Tahir Zemajt.

“Gjithashtu, dëshmitari jep informacion lidhur me kërcënimet që i ka bërë Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi, Tahir Zemajt dhe informacion lidhur me arrestimin, ndalimin dhe keqtrajtimin e përfaqësuesve të Asamblesë së Kosovës dhe të Kuvendit të Kosovës në ose përreth Qirezit në shtator të ’98-ës, si dhe arrestimin, ndalimin, vrasjen dhe keqtrajtimin e anëtarëve të UÇK-së dhe individëve të tjerë. Po ashtu, dëshmitari jep informacion  lidhur me ndërveprimet, njohuritë apo bisedimet që kanë pasur anëtarët e UÇK-së duke përfshirë Rexhep Selimin, Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Sylejman Selmin dhe Samedin Xhezairin lidhur me këto ngjarje”, tha Pace.

Më 18 shtator 2018, dëshmitari  kishte dhënë dëshmi për ZPS-në, e cila kishte dhjetë pjesë, e që u pranua në prova materiale së bashku me tri materiale përcjellëse.

Fadil Geci është dëshmitari i radhës në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, iu hoqën masat mbrojtëse

Ish-anëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Fadil Geci është dëshmitari i radhës, i cili filloi të hënën dëshminë në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët akuzohen për krime lufte nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë.

Ky dëshmitar është i 96-ti me radhë dhe mban kodin W04240. Ai ishte me masa mbrojtëse, por pas seancës private në fillim, atij iu hoqën masat, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmia e Gecit pritet të zgjasë rreth dy ditë.

Ndryshe, të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit. Ndërsa, përmes vido-lidhjes është i pranishëm gjyqtari Christoph Barthe.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy