Deputeti i VV’së, Armend Muja, në një postim në Facebook ka thënë se biznesmeni Samir Mane ka bërë ligje në Kosovë gjatë Qeverisë Hoti. Sipas Mujës, “me propozim të Grupit Parlamentar të AAK-së, në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike ishte shtuar një amandament për një nen që parashihte lirim të energjisë elektrike për Ferronikelin, i cili atë kohë ishte në pronësi të Saimir Manes dhe të pezullohen pagesat e rentës minerare”.
“Komisioni i Minierave (KPMM) nuk e kishte ngarkuar asnjëherë Ferronikelin me rentë minerare siç parashihte ligji.”
Muja ka shtruar pyetjen se a është hetuar ndonjëherë ky rast, derisa ka sulmuar kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.
“A e ka hetu ndonjëherë Prokuroria këtë pazar? Apo ndoshta Dauti nuk i ka thënë Blerim Isufajt me e hetu këtë rast”, ka shkruar Muja.
Ndaj këtij postimi ka reaguar Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit të cilët e kanë dënuar ashpër deklaratën e Mujës.
Sipas KPK’së e ZKPSH’së deklaratat e sotme të deputetit Muja kanë përmbajtje të pastër politike dhe se renditen në sinkron me deklaratat e Qeverisë.
“Deklaratat e sotme të deputetit Muja kanë përmbajtje të pastër politike dhe vijnë e renditen në sinkron me deklaratat e Qeverisë dhe nga radhët e deputetëve të subjektit shumicë në Kuvendin e Kosovës, që, faktikisht, duhet të jenë gardianë të së drejtës dhe sundimit të ligjit në vendin tonë dhe jo të ndërhyjnë orë e çast, duke mos zgjedhur mjete dhe metoda për të njollosur dhe sulmuar prokurorë, kryeprokurorë dhe prokuroritë e vendit.”
“KPK dhe ZKPSH theksojnë se këto deklarata kanë për synim të dëmtojnë rastet hetimore në procedurë dhe prononcimet e tilla nuk i shërbejnë drejtësisë, si dhe janë ndërhyrje e qëllimshme për të zhvendosur vëmendjen nga zbatimi i përditshëm i ligjit që bënë Kryeprokurori Isufaj, por me këtë rast, KPK-ja dhe ZKPSH-ja ia bëjnë me dije deputetit Muja se përkrahin dhe mbështesin fuqishëm z.Blerim Isufaj dhe secilin prokurorë, që, çdo ditë, në mënyrë aktive dhe sistematike, merren me ndjekjen dhe hetimin e kryesve të veprave penale kushdo qofshin dhe ngado që vijnë ata.”
Në reagim thuhet se kryeprokurori Isufaj është i gatshëm dhe i përkushtuar në rrugën drejt zbatimit të ligjit dhe se synimet dhe përpjekjet do të jenë të pandalshme për fuqizimin e shtetit ligjor në Kosovë.