Në bllokun e Sigurisë në rrugën “Mine Peza” në Tiranë ku po mbahet prej mesditës së djeshme, pasi u vu në pranga, ish-Presidentit Ilir Meta i ka shkuar për vizitë avokati i tij mbrojtës, Genc Gjokutaj.
Në një prononcim të shkurtër për mediat pas takimit me kreun e PL-së, Gjokutaj tha se ka zero prova për ndalimin e Ilir Metës nga ana e agjencive ligjzbatuese dhe të drejtësisë
“Zero prova. Shkaku i izolimit të Zotit Meta është çështja e sovranitetit dhe të gjitha denoncimet e korrupsionit galopant të kësaj qeveria që është sot në pushtet”, tha Gjokutaj.
I pyetur nëse janë njoftuar nga Gjykata e Posaçme për datën kur do të zhvillohet seanca e vlerësimit të masës së sigurisë, Gjokutaj tha: “Deri në momentin që po flasim nuk ka njoftim. Ndoshta pasdite, ndoshta nesër. Do të jeni në dijeni”
Në fund ai zbuloi edhe një porosi që Meta i kishte lënë për t’ia komunikuar gazetarëve.
“Zoti Meta për mediat ka një porosi. Ju inkurajon që të pasqyroni me transparencë të gjithë këtë proces, edhe tejet atyre që SPAK-u thotë sepse qëllimi për të cilin zoti Meta është izoluar me tekstin që është shkruar në vendim janë diametralisht të kundërta”, zbuloi Gjokutaj, raporton A2 CNN.