Gjeloshaj: Ka përpjekje për të penguar intergrimin evropian të Malit të Zi

by Nexhat

Këtë javë në Uashington, Shtetet e Bashkuara dhe Mali i Zi nënshkruan një marrëveshje mirëkuptimi për të çuar përpara bashkëpunimin strategjik ekonomik ndërmjet dy vendeve në fushën e energjisë, infrastrukturës, digjitalizimit dhe turizmit. Gjatë takimeve me zyrtarët amerikan, zëvendëskryeministri i Malit të Zi Nik Gjeloshaj paralajmëroi Shtetet e Bashkuara për aktivitete destabilizuese siç tha ai, “të strukturave klero-nacionaliste” që synojnë dëmtimin e perspektivës evropiane të Malit të Zi.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës me kolegen Garentina Kraja, zoti Gjeloshaj thotë se në vendin e tij ka përpjekje për të penguar integrimin evropian, por deri më tani ato janë vetëm në nivel retorike. Ai thotë se përkundër dallimeve të partnerëve të koalicionit qeverisës, i cili përfshin parti me orientim pro-serb dhe pro-rus, deri më tani Mali i Zi ka zbatuar një politikë të jashtme dhe të sigurisë që përputhet me Bashkimin Evropian, përfshirë për sanksionet ndaj Rusisë dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës.https://www.zeriamerikes.com/embed/player/0/7836077.html?type=video

Zëri i Amerikës: Zoti Gjeloshaj, këtë javë në Uashington ju nënshkruat një marrëveshje mirëkuptimi për bashkëpunim ekonomik ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Malit të Zi. A mund të na tregoni më shumë se për çfarë bashkëpunimi dhe në cilat fusha bëhet fjalë?

Nik Gjeloshaj: Për Malin e Zi është një ditë shumë me rëndësi. Mali i Zi ka patur një partneritet shumë të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë qenë përkrahësit tanë më të mëdhenj dhe na kanë ndihmuar shumë që Mali i Zi të jetë pjesë e NATO-s, ndërsa tani jemi në një fazë të re me marrëveshjen për bashkëpunimin ekonomik. Me këtë memorandum bashkëpunimi ne kemi krijuar grupet e punës, kemi lidhur kërkesat prej biznesit, që të vijnë investime më shumë në Mal të Zi nga SHBA-të. E shohim si një ditë shumë të rëndësishme për Malin e Zi, ndër ditët më të rëndësishme në partneritet me SHBA-të pas integrimit në NATO.

Zëri i Amerikës: Cilat janë fushat ku prisni bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara?

Nik Gjeloshaj: Ato janë katër, janë fusha e energjisë, digjitalizimi, turizmi dhe infrastruktura. Në këto fusha ka interesim të kompanive konkrete, mirëpo edhe ne si shtet i kemi përcaktuar si shtyllat kryesore të zhvillimit të ekonomisë në vitet e ardhshme.

Zëri i Amerikës: Gjatë qëndrimit në Uashington, ju patët një takim edhe me të dërguarin e posaçëm për Ballkanin zotin Kasanof, pas të cilit deklaruat se e keni njoftuar për “aktivitetetet potencialisht destabilizuese të strukturave kleriko-nacionaliste që kanë për synim rrënimin e perspektivës evropiane të Malit të Zi”. A mund të na tregoni për çfarë strukturash dhe për çfarë aktivitetesh e keni fjalën?

Nik Gjeloshaj: Po, kisha kënaqësinë të takoj zotin Kasanof, sepse ka marrë detyrën e re dhe njëkohësisht Mali i Zi ka një partneritet të madh me Shtetet e Bashkuara. Njëkohësisht unë si shqiptar, kemi lidhjet tona të ngushta të partneritetit me Shtetet e Bashkuara dhe diskutimi me partnerët amerikanë është shumë i rëndësishëm dhe mund të themi jetik për politikat tona, jo vetëm për të ardhmen por edhe të tashmen. Kemi biseduar dhe ia kam shpjeguar të gjithë situatën politike që është në Mal të Zi, prej asaj se si është krijuar qeveria, cilët janë hapat që jemi duke i ndërmarrë, sa jemi duke punuar në integrimet evropiane, rezultatet që kemi arritur dhe normalisht, faktin që ka struktura të cilat nuk e duan Malin e Zi në Bashkimin Evropian, që mundohen ta ndalin procesin. Por po ashtu, u kam përcjell përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, se me rëndësi është fakti që në Mal të Zi mbi 80 për qind duan që vendi të jetë pjesë e Bashkimit Evropian dhe jam i bindur që edhe këto struktura do t’i fitojmë drejt integrimit në Unionin Evropian. Ne me partnerët amerikanë nuk kemi asgjë që mbajmë pa e ditur, pa e hapur. Nuk e kam hapur rastësisht, sepse e dimë strukturën në Mal të Zi edhe politike, mirëpo edhe qeveritare. Besojmë që me Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të bëjmë gjithë hapat e nevojshëm që Mali i Zi mos të ngecë në integrime evropiane dhe presim që edhe në të ardhmen, sikur edhe deri tash, të kemi mbështetje prej Shteteve të Bashkuara.

Zëri i Amerikës: Sa po e kërcënon stabilitetin e Malit të Zi dhe aspiratën evropiane ndikimi i Serbisë dhe Rusisë?

Nik Gjeloshaj: Mali i Zi edhe në aspektin e vet gjeografik është shumë interesant për këto ndikime. Është një shtet shumë i vogël, por përpjekja për ndikim është e madhe, nga shumë shtete. Mali i Zi e ka përcaktuar drejtimin e vet, është në drejtim të pakthyeshëm, sidomos me anëtarësimin në NATO, është shtet pro-perëndimor, i orientuar nga perëndimi, në drejtim të Unionit Evropian, me partneritet strategjik me SHBA-të. Orientimi i qytetarëve, bindshëm shumicë, është në këtë drejtim dhe mendoj se këto ndikime, që mund të jenë, në thonjëza, legjitime, nuk do të arrijnë ta ndryshojnë rrugën e Malit të Zi. Unë do të theksoja se Mali i Zi, deri në fund të vitit, do të mbyllë katër kapituj në procesin e integrimeve evropiane. Është i vetmi shtet në procesin e intergimeve që po arrin të mbyllë kapitujt dhe që ka këtë mundësi të jetë edhe anëtarja e parë e ardhshme e Unionit Evropian.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, kritikët e qeverisë tuaj, përfshirë Presidentin Milatoviç, e akuzojnë qeverinë se po i nënshtrohet interesave ruse dhe serbe në dëm të ambicjeve evropiane të Malit të Zi. Është bërë një vit që kur qeveria juaj ka përfshirë në radhët e saj këto parti. Duke marrë parasysh këto dallime ideologjike, por edhe praktike, qoftë rreth njohjes së pavarësisë së Kosovës, apo sanksioneve ndaj Rusisë, sa në fakt po e pengojnë këto dallime, përmbushjen e agjendës evropiane?

Nik Gjeloshaj: Përpos deklarative, këto struktura nuk kanë patur ndikim. Asnjë vendim qeveria e Mali të Zi nuk e ka sjell që ka mundur të jetë në kontradiktë me atë çka është orientimi i Malit të Zi, drejt partneritetit me Shtetet e Bashkuara dhe Unionin Evropian. Mali i Zi plotësisht e ka zbatuar politikën e jashtme dhe të sigurisë të Unionit Evropian, edhe për sanksione ndaj Rusisë edhe ndaj qëndrimit që ka për Kosovën, për fqinjësinë e mirë me të gjitha shtetet me të cilat kufizohemi. Në këtë drejtim, ndikimi, përpos deklarativ, nuk ka ekzistuar. A është problematik edhe deklarativ? Është, sepse ai ndikon edhe në kohezion shoqëror, ndikon në perceptimin e shoqërisë, të partnerëve tanë dhe mendoj që kjo duhet në të ardhmen dhe besoj që bashkë me Kryeministrin Spajiç do ta arrijmë që të elimonohen edhe si deklarata publike.

Po e përsëris, qeveria e Malit të Zi nuk ka sjell asnjë vendim që mund të jetë në kontraktikë me këto vlera pro-perëndimore.

Zëri i Amerikës: Së fundi kemi parë tensione edhe rreth regjistrimit të popullsisë së Malit të Zi, ku pamë një rritje prej 4 për qind të qytetarëve të Malit të Zi që identifikohen si pjesëtarë të komunitetit serb. Cili do të jetë ndikimi i këtij regjistrimi në përpjekjet e partive serbe për të zyrtarizuar gjuhën serbe, për çështjen e dyshtetësisë, por edhe për çështje tjera, siç është përfaqësimi i këtij komuniteti në institucionet e Malit të Zi?

Nik Gjeloshaj: Mendoj që në këtë drejtim nuk do të ketë ndikim aspak, nuk do të mund të ketë ndikim. Mali i Zi është shtet i qytetarëve, ku jetojnë disa kombësi dhe disa përkatësi fetare. Është i orientuar si shtet qytetar, do të mbijetojë ashtu sepse Mali i Zi është konceptuar ashtu dhe pjesa më e madhe e qytetarëve e duan ashtu. Me regjistrim të popullsisë janë marrë disa struktura politike, duke i ftuar popullin se si të deklarohen, duke bërë presione, shantazhe. Modeli i regjistrimit është pak interesant sepse kohën e fundit ka migrim, jo më prej pakicave, pakicat janë stabilizuar, ndërsa prej kombeve tjera. Mendoj se regjistrimi nuk ka diçka të papritur. Për mua është nënçmuese ta ftoj dikënd si të deklarohet, duke u nisur prej asaj që i takoj unë…

Zëri i Amerikës: Nga kanë ardhur këto ndërhyrje?

Nik Gjeloshaj: …T’i them shqiptarit deklarohu shqiptar. Ajo për mua është krejt përulëse dhe as nuk e kam komentuar. Është hera e parë që po e komentoj regjistrimin e popullsisë, as në fazën para, as pas rezultateve. Për mua ato janë statistika. Unë e di se populli shqiptar ekziston në Mal të Zi, ekziston në atë numër që është, ka një tendencë stabiliteti, nuk ka më migrim. Kjo mund të jetë falë politikës tonë, që i drejtojmë shqiptarët mirë, prandaj na votojnë mbi 70 për qind partitë nacionale shqiptare, por janë sekuenca që i analizojmë, që nuk duhet të jenë pjesë e debatit të përditshëm. Këto ndikime që janë tentuar të bëhen, duke menduar se mund të realizojnë aspirata, që janë për mua ende që i mendoj dhe i them që janë vetëm ëndrra dhe që nuk mund të realizohen në Mal të Zi. Diku tjetër edhe munden. Sepse ato struktura politike që e proklamojnë këtë nuk kanë përkrahje as tek qytetarët, as te vet ai komunitet të cilin e prezantojnë. Tash ishin zgjedhjet në Podgoricë, atje janë të regjistruar rreth 150 mijë banorë, gjysma nuk kanë dalë aspak (në votime). Nëse e shohim sa kanë marr përkrahje këto struktura në krejt trupin votues janë pothuajse dhjetë për qind. Ajo lloj politike është më shumë folklor, e cila përpos deklarative deri sot në Mal të Zi, në vendimmarrje, nuk ka patur asnjë ndikim apo ndonjë ndryshim dhe shpresoj se kështu do të jetë edhe në të ardhmen.

Zëri i Amerikës: Dua t’ju pyes edhe për propozimin e hedhur nga partitë politike serbe lidhur me ligjin për agjentët e huaj, ligj ky që është përdorur nga shtete të ndryshme për të vënë në shënjestër kundërshtarët politikë. Cili është komenti juaj, si e vlerësoni këtë përpjekje?

Nik Gjeloshaj: Unë mendoj se ajo ka qenë një tendencë. Ne i kishim disa afate në procesin e mbylljes së katër kapitujve dhe ka qenë një përpjekje për të penguar hapat e mëtejshëm të integrimit të Malit të Zi në Unionin Evropian. Këtë besoj e them për herë të parë publikisht … Edhe ajo do të mbesë vetëm deklaratë dhe asgjë më shumë, sikur edhe ligji për dyshtetësinë, që është një tendencë për ndryshimin e strukturës së popullsisë të Malit të Zi. Është e ndaluar me konventat ndërkombëtare, me rezolutat e Kombeve të Bashkuara e Këshillit të Evropës dhe as për një gjë të tillë nuk besoj dhe nuk mendoj se kanë përkrahje për ta realizuar… Nëse shkohet me këtë, e unë besoj që jo, do të hyjmë në një problem shumë të madh dhe mendoj që nuk do të mund të realizohet, sepse do të ketë përgjigje shumë të ashpër të shumë strukturave në Mal të Zi – politike, organizatave joqeveritare, besoj edhe partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe mund të them se si shqiptarë dhe si drejtues politik i shqiptarëve, shumë ashpër. Do të gjejmë mekanizmat ta kundërshtojmë nëse niset në një rrugëtim të tillë. Por unë mendoj që nuk ka përkrahje as në Mal të Zi, as në parlament dhe as në qeveri, që një gjë e tillë të realizohet.

Zëri i Amerikës: Jemi dy javë larg zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara. A mendoni se rezultati i këtyre zgjedhjeve do të ndikojë në vendin tuaj?

Nik Gjeloshaj: Mali i Zi dhe Shtetet e Bashkuara kanë marrëdhënie të mira shtetërore, partnerë strategjikë, aleatë në NATO dhe mendoj që ky partneritet i dy shteteve do të ketë vazhdimësi pa marr parasysh se kush do të jenë ata që do të drejtojnë në Mal të Zi, apo në Amerikë. Marrëdhëniet e mira të SHBA-ve me Malin e Zi nuk do të varen nga kush do të jetë në pushtet në Podgoricë apo në Uashington. Do të vazhdojmë të kultivojmë marrëdhëniet e mira, ndërsa qytetarët në këto dy shtete janë ata që vendosin se kush është më së miri t’i drejtojë dhe ne i respektojhmë vendimet e qytetarëve të SHBA-së. Mendoj se pavarësisht kush do të jetë fitues, ne do të vazhdojmë partneritetin tonë strategjik në NATO dhe në projektet tjera që i kemi përcaktuar tashmë në zhvillimin ekonomik.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy