Gjykata e Posaçme lë në burg Ilir Metën

by Merita

Gjykata e Posaçme ka vendosur të lërë në burg ish-presidentin Meta të arrestuar 3 ditë më parë, ndaj të cilit rëndojnë 3 akuza, korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të të ardhurave.

Po ashtu, Gjykata e Posaçme vendosi të lërë në fuqi masën detyrim paraqitje për Monika Kryemadhin. Seanca e sotme nisi rreth orës 9 dhe u shoqërua nga momente të forta tensioni.

Çfarë ndodhi më herët?

Përballja e parë në sallën e gjyqit mes ish-presidentit Ilir Meta dhe trupës së prokurorëve të SPAK; Altin Dumani, Sotir Kllapi dhe Arben Kraja, ka rezultuar me tone të ashpra. Gazetari i A2 CNN, Armand Bajrami, raportoi se ka patur tone të forta kundërshtuese mbi mënyrën e arrestimit të kreut të PL-së në momentin që Meta ka hyrë në sallën e gjyqit.

“Ka pasur tone të forta të ish-presidentit Ilir Meta në momentin që është futur në sallën e gjyqit dhe që është përballur vizualisht me trupën e prokurorëve, duke folur me tone të forta e kundërshti mbi mënyrën sesi ishte arrestuar”, raportoi gazetari i A2.

Por në një deklaratë për mediat, Monika Kryemadhi, pas daljes nga gjykata tha se “Meta për mua sikur i përkëdheli ata, jo sikur i kërcënoi”.

Ajo e quajti provokim dhe shkelje të ligjit qëndrimin në të njëjtën sallë me Ilir Metën, por siç raportoi gazetari Barjami, “me ndryshimet ligjore të disa viteve më parë, të gjithë personat që paraqiten në gjykatë për verifikim mase sigurie apo caktimin e një mase sigurie, seancat gjyqësore nuk bëhen në mënyrë individuale por në grup”.

Seanca e sotme në GJKKO zgjati vetëm pak minuta pasi u ndërpre për të rifilluar në orën 13:30, pasi avokatët kanë kërkuar më shumë kohë të njihen me aktet e dosjes duke pretenduar se nuk ishin vënë në dispozicion, shkruan A2.

Ilir Meta ishte në ambientet e GJKKO në kafazin e xhamtë të sallës së gjyqit dhe jashtë kafazit ishin Monika Kryemadhi, Piro Xhixho dhe Ema Çoku. Të katërt përballen me 3 prokurorët e SPAK; Altin Dumanin, Sotir Kllapin dhe Arben Krajën, të cilët kanë ngritur dyshime të bazuara në prova të arsyeshme se kanë konsumuar veprat penale të korrupsionit aktiv e pasiv, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë./A2

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy