Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka lënë në burg ish-presidentin Ilir Meta, dhe në detyrim paraqitje Monika Kryemadhin, Ema Çokun dhe Pirro Xhixho. Në njoftimin zyrtar të bërë për mediat, GJKKO ka zbardhur vendimin e marrë sot dhe akuzat që rëndojnë ndaj 4 personave të akuzuar.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, vendosi:
Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “arrest në burg” ndaj personit nën hetim Ilir Metaj, e caktuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 3 (tre) raste nga të cilat në dy raste në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim
Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj personit nën hetim Monika Kryemadhi, e caktuar me vendimin të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 2 (dy) raste dhe në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”. Monika Kryemadhi detyrohet të paraqitet në Zyrat e Policisë Gjyqësore, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të hënën e parë të çdo muaji në orën 12.00.
Zëvendësimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi” e caktuar ndaj personit nën hetim Piro Xhixho me masën e sigurimit personal “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore”. Piro Xhixho detyrohet të paraqitet në Zyrat e Policisë Gjyqësore, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të hënën e parë të çdo muaji në orën 13:30.
Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj personit nën hetim Ema Çoku, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Ema Çoku detyrohet të paraqitet në Zyrat e Policisë Gjyqësore, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të hënën e parë të çdo muaji në orën 13:00.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda 5 ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, afat i cili fillon nga dita njoftimit të vendimit të gjykatës./Top Channel