Vota e Diasporës, KQZ miraton rregulloren për regjistrimin e zgjedhësve dhe listat zgjedhore

by Nexhat

Komisioni Rregullator pranë Komisionit Qendror Zgjedhor miratoi sot me pesë vota pro rregulloren që i hap rrugën regjistrimit të zgjedhësve nga jashtë vendit dhe përgatitjen e listës së zgjedhësve.

Sipas rregullores së miratuar, çdo qytetar shqiptar, i cili jeton jashtë dhe që kërkon të marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare duhet të regjistrohet në Platformën Elektronike të Regjistrimit (PER) të paktën 68 ditë përpara datës së votimeve. Sipas KQZ-së, zgjedhësit do të duhet ta shkarkojnë dhe të krijojnë një llogari të tyre, e cila është e aksesueshme dhe pa pagesë.

Po sipas KQZ-së, kjo llogari kërkon identifikimin biometrik me njohje të fytyrës, një kod unik i përkohshëm gjashtëshifror që i dërgohet zgjedhësit në numrin e tij të telefonit dhe e-mail, si dhe Numri Personal i Identifikimit.

Ndërkohë dokumentet që do të duhet të ngarkojë për t’u regjistruar janë: Certifikatë pronësie, vërtetim banimi, kontratë qiraje apo çdo lloj dokumenti të lëshuar nga organi kompetent i shtetit ku ka vendbanimin, i cili vërteton qëndrimin e zgjedhësit në një strukturë të caktuar.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, 63 ditë përpara datës së zgjedhjeve, publikon listën paraprake me qëllim që zgjedhësit brenda 48 orësh të kërkojnë regjistrimin apo rregullimin e pasaktësive dhe tri ditë më vonë, ose 60 ditë para datës së zgjedhjeve, miraton dhe publikon në faqen zyrtare të internetit të KQZ listën përfundimtare të zgjedhësve që votojnë jashtë vendit, e cila pas këtij momenti nuk ndryshon.

Regjistrimi në listën e zgjedhësve jashtë vendit passjell çregjistrimin e tij nga lista e zgjedhësve që votojnë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Kërkesa për regjistrim do të bëhet në mënyrë individuale nga zgjedhësi dhe kjo kërkesë i drejtohet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve sipas procedurave dhe afateve të parashikuara në këtë vendim.

Gjithashtu, janë parashikuar rregullat që lidhen me mbikëqyrjen dhe kontrollin e procesit të regjistrimit për të siguruar transparencë dhe qasje të të gjithave palëve në çdo hap përgatitor apo të zbatimit të procesit, të tilla si vijon: e drejta e partive politike, organizatave joqeveritare shqiptare dhe të huaja, si dhe organizatat ndërkombëtare të specializuara ose të angazhuara në mirëqeverisjen dhe demokratizimin, përfaqësuesit e shteteve të huaja të akredituar në Shqipëri, si dhe të medias, të njihen me të gjitha elementët e Platformës Elektronike të Regjistrimit (PER), veçanërisht gjatë proceseve të testimit operacional, kontrollit apo auditimit të së saj, si dhe për të marrë pjesë në testime gjatë procesit të regjistrimit të kërkesave të zgjedhësve nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Vendimi u mor edhe pas konsultimeve me përfaqësuesit e partive politike, përfaqësuesit e organizatave të diasporës, organizatave të shoqërisë civile vendase të angazhuara në mirëqeverisjen dhe demokratizimin, veprimtaria e të cilave ka në fokus zgjedhjet, si dhe medias

Sipas Kodit të ri Zgjedhor, vota e personave që jetojnë jashtë, llogaritet në qarkun ku ai/ajo ka jetuar përpara se të largohej nga Shqipëria./ata

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy