Analistët kritikojnë bojkotimin e seancave parlamentare nga shumica, duke theksuar se ky veprim dëmton demokracinë dhe forcon opozitën.
Analisti Dardan Gashi kujtoi deklaratat e kryeministrit Albin Kurti, i cili dikur thoshte se opozita do të zhdukej në rast të zgjedhjeve.
Sipas Gashit, tani është vetë Qeveria që po largohet nga Kuvendi, duke pranuar fajësinë përmes mungesës së saj në seanca.
“Kryeministri thoshte se opozita zhduket, por tani duket se është Qeveria ajo që është zhdukur nga Kuvendi. Kjo po i jep opozitës terren dhe po e dëmton Qeverinë”, tha në Debat Plus Gashi, duke kritikuar mungesën e mbrojtjes së veprimeve të qeverisë në Kuvend.
Analisti Ylli Hoxha e quajti bojkotin e shumicës një skandal dhe tha se mohimi i të drejtave kushtetuese të opozitës për seanca të jashtëzakonshme është i papranueshëm
“Shumica është hera e katërt që nuk merr pjesë në seancë dhe kjo ka bazë të fortë për kritikë. Nëse opozitës nuk ja jep të drejtat kushtetuese me i ushtru, kjo është asbsurde. Ikja e shumicës nga Kuvendi është skandal e përtej skandalit. Seanca e jashtëzakonshme është e drejtë kushtetuese e opozitës dhe mohimi i saj është absurditet”, deklaroi Hoxha.
Analisti Astrit Gashi kritikoi Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) për bojkotimin e katërt radhazi të seancave të jashtëzakonshme, duke thënë se kjo po i bën favor opozitës.
Ai theksoi se LVV-ja, dikur pjesëmarrëse aktive në debate publike, tani po shmang përballjen dhe kështu po i shkakton vetes dëme të mëdha politike.
Imer Mushkolaj, nga ana e tij, e cilësoi këtë qasje si arrogancë e shumicës, duke shtuar se pushteti po shmang debatin mbi çështje të rëndësishme që opozita dëshiron të trajtojë
“Shumica e kanë bojkotuar çdo iniciativë të thirrur nga opozita. Çka po tregon kjo. Kjo tregon arrogancë numrash. Por është shqetësuese se pushteti nuk dëshiron të merret me qështjet që dëshiron të zbardhë opozita. Por ti nuk mund të fshehësh ato skandale, sepse ato mediat i shfaqen”.
Mushkolaj kritika pati edhe ndaj Konjufcës, i cili sipas analistit shkon në Kuvend dhe lëshon vetëm batuta