Krasniqi: Qeveria po bën “filma” në veri, kjo po i shtyn ndërkombëtarët të kërkojnë më shumë të drejta për serbët

by Merita

Profesori universitar, Milazim Krasniqi ka thënë aksionet në veri të vendit kanë krijuar një opinion te ndërkombëtarët se qytetarët serb janë në hall të madh, andaj edhe kërkojnë më shumë të drejta për ta.

Duke folur për vizitën e Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, Krasniqi ka thënë se ndërlidhet me mundësinë e de-eskalimit të situatës në vend. Andaj, e konsideron të nevojshëm implementimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel e Ohër.

banner

“Çështja e Kosovës nuk është çështje e sotme, në të vërtetë ka marrë një rrugë zgjidhjeje me marrëveshjen ushtarake teknike të NATO-s me Jugosllavinë në qershor të 99-ës me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, pastaj edhe me proklamimin e Pavarësisë, pastaj edhe më një opinion të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, por çështja e Kosovës nuk është e mbyllur ende për shkak se Kosova nuk është pranuar në OKB, nuk është e pranuar as në NATO e BE e kështu me radhë, prandaj edhe vizita e O’brain edhe e të tjerëve gjithmonë konsiston së paku në deeskalimin e situatës në krijimin e kushteve për të vazhduar dialogun dhe pastaj për t’i zbatuar ato marrëveshjet që janë arritur. Në këtë kontekst sigurisht Kosova ka pjesën e vet të përgjegjësive sepse e ka pranuar edhe planin franko-gjerman edhe aneksin e Ohrit, por në të njëjtën kohë nuk po zbatohen”, ka thënë Krasniqi, teksa shton se pa një marrëveshje, Kosovës dhe Serbisë i pamundësohet anëtarësimi në Bashkim Evropian e mekanizma tjerë të sigurisë.

Veprimet në veri, Krasniqi i quan “filma”, duke e shtyrë bashkësinë ndërkombëtare më pastaj të kërkojnë më shumë të drejta për serbët atje, për shkak të kinse të zullumit ndaj tyre.

“Kosova dhe Serbia kanë obligime me këto marrëveshje në raport me Bashkimin Evropian i cili e kushtëzon integrimin edhe anëtarësimin e tyre në zbatimin e këtyre marrëveshjeve, prandaj nuk është më çështje kujt i bëhet presion, çështja do duhej të ishte që Kosova te ngutet t’i kryej obligimet ndërkombëtare për ta hapur rrugën e vet të anëtarësimit me Bashkimin Evropian dhe në NATO, pa i kryer këto marrëveshje është e sigurt që nuk mund të pranohemi në Këshill të Evropës, nuk mund të futemi në partneritetin për Paqe, nuk mund të avancojmë, nuk mund të fitojmë statusin e shtetit kandidat, pra interesat i Kosovës në këtë rast është t’i zbatojë marrëveshjet që i ka marrë përsipër dhe jo t’i bllokojë, dhe jo të bëj filma me njësi policore atje sepse duke bërë kësi lloj filmash është krijuar perceptimi që Kosova po u bën zullum serbëve dhe për shkak të kësaj, mandej komuniteti ndërkombëtar po kërkon më shumë të drejta për serbët për t’u mbrojt gjoja nga zullumi i Qeverisë së Prishtinës pra është një konfuzion”.

Profesori universitar ka treguar edhe për porositë që la Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euro-aziatike, James O’Brien.

“E dëgjova me vëmendje intervistën me O’Brien insistimi pikërisht ishte që të kapet momenti i tashëm politik, të kryhen këto lloj obligimesh sepse mund të ndodhin ndryshime serioze nëse për shembull në Washington fiton Trump mund të ketë ndryshim komplet të politikës, mund të ketë rikthim tek ajo ideja e vjetër për shkëmbimin e territorit, kështu që Qeveria e ka një momentum të mirë për të vepruar, a do të veproj, personalisht nuk e di jam skeptik sepse tash është zgjedhur edhe data e zgjedhjeve”, u shpreh ai. /EO/

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy