Tash e 16 muaj, kudo që shkojnë në takime përfaqësuesit shtetëror të Kosovës kërkojnë nga partnerët e shteteve respektive që vendit t’i hiqen masat e vëna nga Bashkimi Europian. Ndonëse kanë mbetur pak më shumë se dy muaj deri në përfundim të këtij viti kalendarik, shtetet e Bashkimit Europian ende nuk e kanë një qëndrim unik rreth heqjes së tyre. Masat ndëshkuese u aplikuan në qershor të vitit 2023, e shpresat që ato të hiqeshin sivjet ishin të mëdha në Kosovë.
Se kur pritet që këto masa të hiqen përfundimisht, Komisioni Europian nuk ka një përgjigje konkrete, përveç asaj se “diskutimet po vazhdojnë”.
“Diskutimet për heqjen e masave për Kosovën vazhdojnë mes shteteve anëtare në Këshill”- thotë zëdhënësi i Komisionit Europian, Peter Stano.
Në muajin qershor 2024, kryediplomati i Bashkimit Europian, Josep Borrell, ua kishte dorëzuar vendeve anëtare të BE-së raportin lidhur me masat që i janë vënë Kosovës. Në raport është bërë ishte vlerësimi nëse duhet hequr masat ndaj Kosovës, të vëna për shkak të tensionimit të situatës në veri të vendit në maj dhe qershor të vitit 2023.
Hiç më larg se të martën më 22.10.2024, zëvendëskryeministri i parë Besnik Bislimi gjatë takimit me ambasadorin italian në Kosovë, Antonello De Riu, rikërkoi që të hiqen masat ndaj Kosovës.
Bislimi nënvizoi dhe nevojën për heqjen e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, të cilat sipas tij, “vijojnë të jenë të padrejta e të mbeten në fuqi”.
Një javë më parë, kryeministri Albin Kurti këtë kërkesë ia bëri drejtpërdrejtë kancerlarit gjerman, Olaf Scholz, gjatë Samitit të Procesit të Berlinit.
E më parë gjatë muajit shtator, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte deklaruar se javëve të fundit janë njoftuar se disa shtete kanë kërkuar të mbeten në fuqi masat e Bashkimit Europian të vendosura ndaj Kosovës në vitin 2023.
Osmani kishte thënë se qëndrimi i Gjermanisë është qartë pro heqjes së masave.
“Ketë e kanë bërë publik disa herë, dhe ka qenë një ndër shtetet që më së shumti kanë insistuar që të heqen masat tash e sa kohë. Ky duhet të jetë vendim unanim i BE-së, dhe javëve të fundit jemi njoftuar se herë një shtet herë një tjetër kanë kërkuar të mbeten masat për shkak të pakënaqësive të tyre për arsye të ndryshme”- u shpreh ajo më 08.09.2024 në një intervistë për “KallxoPërnime”.
Osmani nuk ka pranuar të përmendë këto shtete duke thënë se për shkak të diskrecionit diplomatik është më mirë të mos përmenden.
“Ne na duhet me i bindë ato shtete dhe jo me i sulmu”- ka thënë ajo.
Se cilat janë këto shtete që kanë kërkuar që të vazhdojnë masat ndaj Kosovës, nuk pranoi të përgjigjet as Peter Stano
Një kërkesë e tillë i është bërë edhe Shefit të Ri të Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Aivo Orav, nga Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë.
“Kemi kërkuar nga ambasadori që ta shtrojë këtë temë edhe te vendet anëtare sepse është e rëndësishme që këto masa të hiqen sidomos pas vendimeve të njëpasnjëshme të Qeverisë së Kosovës në përputhje me atë çfarë Bashkimi Europian po kërkon”- ka thënë kryesuesja e Komisionit Arbëreshë Kryeziu-Hyseni në një konferencë për media
Kreu i ekzekutivit, Kurti në vazhdimësi ka vlerësuar se Kosova i ka plotësuar të gjitha kërkesat e BE-së për heqjen e masave të vendosura ndaj saj dhe se të njëjtat bien ndesh me përpjekjet e rajonit përë integrim të përshpejtuar në BE dhe sidomos në planin e rritjes.
“Masat që janë në fuqi ndaj Kosovës bien ndesh me përpjekjet e rajonit për integrim të përshpejtuar në BE sidomos edhe në planin e rritjes dhe qëllimin e tij. Në anën tjetër po vazhdojmë me përpjekjet tona që të hapim më tepër mundësi në kuadër të dialogut të reformave të BE në këtë kontekst kemi përmbushur të gjitha kërkesat e BE për heqjen e masave kufizuese dhe këto masa duhet të largohen”- kishte thënë Kurti në mbledhjen e Këshillit Ministror për Integrim Europian, më 02.05.2024.
Në gusht zëdhënësi i Bashkimit Europian, deklaroi se jo vetëm Bashkimi Europian por edhe përmes të gjithë partnerëve ndërkombëtare po mundohen ta bindin Kosovën që mos të marr hapa të njëanshëm dhe të pakoordinuar, pas mbylljes së nëntë degëve të Postës së Serbisë në veri të vendit dhe deklarimeve të tyre për hapjen e Urës së Ibrit.
Stano tha që shpresojnë që autoritetet në Kosovë t’i dëgjojnë mesazhet dhe ta ndalojnë BE-në për masat që mund të konsiderojnë t’i marrin.
Asokohe, Stano tha se ‘masat janë progresive, mund të shtohen, mund të zvogëlohen, varësisht nga zhvillimi i situatës’.
“Kemi masa në fuqi dhe këto masa mund të shtohen nëse akterët europianë pajtohen se ato duhet të shtohen. Nga ana tjetër, ne lëshuam deklaratën dhe qëndrimet tona për çështjet e bastisjeve në zyrat e Postës së Serbisë. dhe në përpjekjet për hapjen e njëanshme të urës mbi Ibër”- tha Stano, më 08.08.2024.
Masat ndaj Kosovës ishin vendosur si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur kryetarët e rinj nisën punën e tyre në komunat në veri, pas zgjedhjeve që u bojkotuan nga serbët lokalë.
Ndër masat e BE-së është edhe suspendimi i përkohësshëm i punës së trupave të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.
Kosova, po ashtu, nuk ftohet në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitat bilaterale janë suspenduar, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Masat tjera janë suspendimi i programimit të fondeve për Kosovën në kuadër të IPA 2024 (Fondet e Para-Anëtarësimit). /Kallxo