Mbrojtësit e 13 ish-policëve, avokatët Naim Rudari, Asdren Hoxha, Zehra Verbovci, Nebojsha Vllajiq, Zhivojn Jukanoviq, Vehbi Beqiri, Isa Salihu, Gani Zabeli, Ali Rexha dhe Predrag Milkoviq dorëzuan ankesën e tyre me shkrim ndaj vendimit të Gjykatës së shkallës së parë, duke e cilësuar atë si të padrejtë dhe duke kërkuar nga Gjykata e Apelit që ta prishë atë ose t’i lirojë të mbrojturit e tyre nga akuzat.
Gjykata Themelore e Prishtinës më 27 tetor 2023, i kishte dënuar me 23 vjet e 9 muaj burgim për 13 ish-policët e veriut të akuzuar për korrupsion derisa 6 të tjerët ishin liruar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjatë dorëzimit të ankesës nga avokatja e të akuzuarit Zenel Bahtiri, me autorizimin e zëvendësuesit të avokatit Musa Damati, avokatja Lindita Rexha, tha se ajo qëndron plotësisht pas ankesës të dorëzuar, kundër vendimit të Gjykatës Themelore dhe kërkoi lirimin e të akuzuarit.
Po ashtu, avokati Damati, ishte mbrojtës edhe i të akuzuarit Nebojsa Gogiq, ku akuza për të ishte refuzuar më 27 tetor 2023, për veprat penale për të cilat akuzohej.
Tutje, seanca vazhdoj me deklarimin e mbrojtësve të të akuzuarve Merovci dhe Kuzmanoviq, avokatet, Fatlume Korça-Sekiraqa dhe Jovana Filipoviq, ku deklaruan se vendimi i shkallës së parë ishte në përputhje me ligjin.
Paraprakisht, kryetari i kolegjit të Apelit Vaton Durguti, kërkoi mirëkuptim nga palët në procedurë, për shkak tw numërit të madhë të akuzuarëve, seanca të vazhdoi vetëm me qëndrimin e mbrojtësve të të akuzuarëve. Kërkesën e gjykatësit Durguti, e mbështeti edhe mbrojtja.
Në seancë mungoi prokurori i rastit, Burim Cerkini, i cili kishte dorëzuar me shkrim ankesën ndaj vendimit të shkallës së parë në Gjykatën e Apelit.
Në seancën e mbajtur më 16 qershor 2020, 33 të akuzuarit e kanë mohuar fajësinë, ndërsa dy të akuzuarit K.S, i cili ka ndërruar jetë dhe Nysret Jashari, kishin pranuar fajësinë vetëm për armëmbajtje pa leje.
Të akuzuarit e lartcekur, përveç kryerjes së veprës penal “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” akuzoheshin edhe për veprën penale “Marrje ryshfeti”, por më 20 tetor të këtij viti prokurori special, Burim Çerkimi kishte bërë ndryshim të aktakuzës, duke u tërhequr nga vepra e fundit.
Bashkë me 20 policët e veriut, në këtë rast për kontrabandim me mallra janë të akuzuar Izet Jashari, Jeton Morina, Milazim Januzi, Nezir Bilalli, Nysret Jashari, Sabri Isufi, Xhevdet Jashari, Arben Isufi, Bajram Uka, Besnik Morina dhe Faton Isufi, mirëpo rasti ndaj tyre ishte veçuar.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 18 maj 2020, kishte ngritur aktakuzë ndaj 33 personave për dyshimin se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Marrje ryshfeti”, “Kontrabandë me mallra”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.