Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka vizituar kryetarin e Pejës, Gazmend Muhaxheri, pasi ky i fundit është sulmuar fizikisht nga dy persona mëngjesin e sotëm në Pejë.
Abdixhiku ka shkruar se kryetari Muhaxheri është më i fortë dhe më i vendosur për misionin e tij në udhëheqjen e Pejës.
Kreu i LDK-së ka bërë thirrje edhe një herë që të marrin hapat e domosdoshëm për mbajtjen përgjegjës të autorëve.
Reagimi i plotë:
Vizituam mikun tonë Gazin dhe familjen e tij, në shtëpinë e tij në Pejë. E gjetëm edhe më të fortë e edhe më të vendosur në misionin e tij shembullor të udhëheqjes së Pejës – qytetit për të cilin punon me guxim, pasion e energji të pashterrshme.
I bëj thirrje edhe një herë autoriteteve të rendit e drejtësisë t’i marrin hapat e domosdoshëm dhe të menjëhershëm në zbardhjen e plotë të këtij akti të ulët; e në mbajtjen përgjegjës të autorëve që me dhunë e intimidim provojnë të ndalin një udhëheqës të lirë, me plot vullnet e energji.