KPK-ja synon që nëpërmjet gjykatës t’i mbajë fshehtë dokumentet për një proces punësimi

by Merita

Këshilli Prokurorial synon ta bindë gjykatën që t’ia mundësojë t’i mbajë fshehtë dokumentet që lidhen me një proces punësimi në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit. Këshilli ka bërë padi në gjykatë ndaj Agjencisë për Informim dhe Privatësi, pasi ky institucion obligoi KPK-në që t’i krijojë qasje në dokumente një kandidati që s’u shpall fitues nëpërmjet konkursit.

Dy institucione të Kosovës do të përballen në gjykatë: Këshilli Prokurorial dhe Agjencia për Informim dhe Privatësi. Kjo, pas padisë së KPK-së në lidhje me shtyrjen e ekzekutimit të vendimit detyrues të agjencisë për të ofruar qasje në dokumente publike.

KOHA është informuar se çështja ka të bëjë me zgjedhjen e zyrtarit për komunikim në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, për të cilën të dhëna ka kërkuar një nga kandidatet në këtë proces rekrutimi.
Ecuria e procesit është konfirmuar nga Agjencia. Në një përgjigje me shkrim është theksuar se kërkesa e KPK-së për ngritjen e masës së sigurisë është bërë në mënyrë që të pamundësohet ekzekutimi i vendimit detyrues të AIP-së.

“Vendimi i Agjencisë për Informim dhe Privatësi, në cilësinë e autoritetit mbikëqyrës në raport me të gjitha institucionet publike, rrjedhimisht edhe ndaj KPK-së, është i karakterit detyrues. AIP-ja e ka nxjerrë këtë vendim për ta obliguar KPK-në që të ofrojë qasje në dokumente publike një pale ankuese, e cila në KPK kishte kërkuar qasje në dokumentet e lidhura me një procedurë rekrutimi të zhvilluar brenda KPK-së”, thuhet në përgjigjen e Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

Në Këshillin Prokurorial nuk ofruan shumë informacione për këtë rast. Në një përgjigje me shkrim arsyetuan padinë, ndërsa për procesin rekrutues sugjeruan të merren informacione në ueb-faqe.
“Ju informojmë se kandidatja që është shpallur fituese nga komisioni vlerësues nuk ka filluar punën për shkak se ende nuk kanë përfunduar procedurat ligjore. Sa për informimin tuaj, KPK-ja ka shfrytëzuar mjetet juridike, të lejuara në bazë të legjislacionit në fuqi”, thuhet në përgjigjen e KPK-së
Monitorues të sistemit të drejtësisë kritikuan veprimin e KPK-së. Gzim Shala, i cili është hulumtues të Institutin e Kosovës për Drejtësi, tha se padia është përpjekje e re e Këshillit për mostransparencë në raport me publikun.

“Vetë KPK-ja duhet ta dijë se për vendime të tilla, kur ka përzgjedhje të kandidatëve të caktuar, është interes i publikut, po veçanërisht i kundërkandidatëve që të kenë qasje në këto dokumente, për shkak se më pastaj varet edhe efikasiteti apo efektshmëria e mjetit juridik që ata aplikojnë dhe rezistimi i Këshillit Prokurorial të Kosovës në raport me Agjencinë për Informim dhe Privatësi, përballë standardit tanimë të etabluar nga Agjencia për Informim dhe Privatësi. Përkundër që është një mjet ligjor vlerësoj se është një përpjekje e re e Këshillit Prokurorial të Kosovës për mbylljen e saj apo për mostransparencë në raport me publikun”, thotë ai.

Sipas të dhënave të ofruara nga Agjencia për Informim dhe Privatësi, janë gjithsej 13 padi të cilat janë ngritur ndaj saj. Prej tyre, në tri raste ka nisur shqyrtimi gjyqësor./Koha.net

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy