Kosova hyn fuqishëm në historinë ndërkombëtare, duke u bërë pjesë e Federatës Ndërkombëtare për Mjekësinë Sportive (FIMS) si anëtare e rregullt. Ky vendim, u mor në mbledhjen e Këshillit të Delegatëve në Dubai të shtunën më 26 tetor.
Përveç një abstenimi nga Gjeorgjia, të gjitha vendet e pranishme votuan unanimisht për anëtarësimin e Kosovës, duke pranuar me entuziazëm projektin e Asociacionit të Kosovës për Mjekësi Sportive (KASEM), një iniciativë që u themelua nën iniciativën e UBT-së.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ishte i pranishëm për të paraqitur prezantimin dhe për ta bërë këtë kërkesë historike. Ai falënderoi delegatët për kontributin e tyre në këtë proces dhe e vlerësoi Komitetin Ekzekutiv për pranimin e vendimit në Këshillin e Përgjithshëm të Delegatëve. Një falënderim i veçantë shkoi për Profesor Norbert Bachl, i cili ka qenë një mbështetje e vazhdueshme për Kosovën në ndihmën e ndërtimit të strukturave të nevojshme për anëtarësim, si dhe Presidentin e FIMS, Prof. Fabio Pigozzi.
Rektori Hajrizi theksoi se Kosova do të jetë një anëtare e angazhuar dhe e përgjegjshme, e gatshme për të kontribuar në zhvillimin e mjekësisë sportive në nivele të reja ndërkombëtare. Ky anëtarësim përfaqëson jo vetëm një sukses të madh për Kosovën, por edhe një mundësi për të promovuar dhe zhvilluar edhe më shumë mjekësinë sportive me standarde ndërkombëtare.
Në këtë kontekst, Kosova përfundimisht po krijon një rrugë të re për sportistët dhe profesionistët e mjekësisë sportive, duke bërë një hap të rëndësishëm drejt një të ardhme më të ndritur. Anëtarësimi në FIMS është një dëshmi e angazhimit dhe përkushtimit të Kosovës për të avancuar këtë disiplinë në nivel botëror, duke u bërë një model frymëzues për vendet e tjera
Në këtë ngjarje të rëndësishme, përveç anëtarësimit, Rektori Hajrizi mori pjesë në Kongres, vizitoi panairin e teknologjisë në mjekësinë sportive dhe zhvilloi biseda me kompani për bashkëpunim me UBT dhe Kosovën. Rektori Hajrizi gjithashtu realizoi një sërë takimesh të ndryshme me delegatë dhe ekspertë nga vende të ndryshme, duke përfshirë përfaqësues të komiteteve olimpike të botës.
Gjatë vizitës në Universitetin e Dubait për Mjekësi, ai gjithashtu mori pjesë në një konferencë paralele për ortopedi dhe pati një takim me Prof. Filippo Parisi nga Italia, udhëheqës i Shoulder Academy, me të cilin do të vazhdojë bashkëpunimi për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor