Një muaj paraburgim ndaj dy të dyshuarve për sulm ndaj kryetarit të Pejës

by Merita

Gjykata Themelore në Pejë u ka i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh  të pandehurve K.L dhe D.L, të  cilët dyshohen  për sulm ndaj kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Kjo është bërë e ditur nga burimet e  “Betimi për Drejtësi” brenda Gjykatës së Pejës.

banner

Dy të pandehurit dyshohet se kanë kryer veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.

Ndryshe, Prokuroria Themelore e Pejës të dielën kërkoi caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarve, kurse Gjykata e Pejës po ashtu dje ua vazhdoi të njëjtëve masën e ndalimit edhe për 48 orë.

“Prokuroria Themelore në Pejë në afatin e saj ligjor ka bërë kërkesën për masën e paraburgimit ndaj të dyshuarve. Kërkesa është bazuar në tri fazat që janë paraparë në kodin e procedurës penale si është rreziku i arratisjes, ndikimi në dëshmitarë sepse në vendin ku ka ndodhë ka shumë dëshmitarë dhe ende një pjesë nuk janë intervistuar dhe pastaj ekziston edhe rreziku se të njëjtit mund ta përsërisin veprën penale për vetë faktin se shtëpia e të dëmtuarve dhe të dyshuarve nuk është shumë në largësi të madhe. Të dyshuarit dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘sulmi ndaj personit zyrtar’ dhe ‘lëndim i lehtë trupor’”, ka thënë prokurorja e rastit, Arlinda Nallbani Gacaferri për “Betimi për Drejtësi”.

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ishte sulmuar fizikisht nga dy persona mëngjesin e 26 tetorit në Pejë.

“Rreth orës 08:50 është sulmuar nga persona të dyshuar kryetari i Komunës së Pejës, i cili ka pësuar lëndime trupore”, ka thënë të shtunën për “Betimi për Drejtësi”, Driton Rugova, zëdhënës i Policisë për rajonin e Pejës.

Ai ka thënë se me urdhër të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

Ndërkaq, Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh të së dielës ka njoftuar për sulmin ndaj kryetarit të Pejës, duke bërë të ditur se ende nuk dihen motivet e sulmit.

Kurse, Dukagjin Kerveshi, avokat i kryetarit të Pejës, deklaroi të shtunën për “Betimi për Drejtësi” se motivet pse besohet se kanë çuar deri te sulmi ndaj Gazmend Muhaxherit është një projekt i Komunës për furnizimim meujë për tri fshatrat Stankaj, Bogë dhe Shkrel.

Avokati Kerveshi ka thënë se sulmuesit kanë sulmuar Muhaxherin pasi nuk pajtohen me një projekt të tillë të Komunës së Pejës.

“Arsyeja e sulmit besojmë të jetë një projekt i ujit në fshatin Stankaj, ku Komuna e Pejës synon të rregullojë çështjen e ujit për fshatrat Stankaj, Boge dhe Shkrel për furnizim me ujë. Besohet se sulmuesit kishin sulmuar kryetarin Muhaxheri pikërisht për shkak te mospajtimit me një projekt të tillë të Komunës se Pejës për rregullimin e ujit të pijshëm për tre fshatrat në fjale”, deklaroi avokati Kerveshi për “Betimi për Drejtësi”.

Pas sulmit, Muhaxheri publikoi një fotografi në Facebook, tha se është mirë me shëndet.

Partia e Muhaxherit, Lidhja Demokratike e Kosovës, dënoi ashpër sulmin ndaj kryetarit të Pejës, duke kërkuar që personat e dyshuar të përballen me drejtësinë.

“Sulme të tilla nuk i shërbejnë demokracisë dhe janë nxitëse në këtë periudhë. Dhuna nuk ka vend në shoqërinë tonë, dhe veprime të tilla kërcënojnë sigurinë dhe mirëqenien e udhëheqësve tanë”, u tha në reagimin e LDK-së

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy