Serbisë i pengon ngjyra e shtëpisë së Devës (VIDEO)

by Nexhat

Renovimi i saj u bë problem ndërkombëtar për faktin se pronari, Xhafer Deva, ishte bashkëpunëtor i gjermanëve në Kosovë e Shqipëri, në kohën e Luftës së Dytë Botërore.

Puna, megjithatë, nuk u ndërpre, ani se rregullimi zgjati goxha, edhe për arsye e telashe tjera.

Por, kur u krye, shtëpia e Devës, një ndërtesë ikonike e viteve 30 të shekullit të kaluar, në Mitrovicë, u rishfaq e bukur me ngjyrën e verdhë.

E testimi i ndriçimit të saj me të kuqen, siç u pretendua se do të duket më 28 nëntor, hijeshoi zonën ku ndodhet, në qendër të qytetit.

Por, edhe ky fakt, e pengoi Serbinë.

Ministri i jashtëm i këtij shteti, Marko Gjuriq, që dikur ishte shefi i zyrës së qeverisë në Beograd për Kosovën, reagoi për këtë në gjysmë të natës, të hënën. Ai e gjeti njëfarë lidhje të dritës zbukuruese të shtëpisë së Devës me një kohë e regjim të 80 vjetëve më parë në Evropë, teksa fajësoi për këtë kryeministrin aktual të Republikës së Kosovës.

Në fakt, është Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës që ka ndarë buxhet në vlerë rreth 500 mijë euro për restaurim të plotë të kësaj shtëpie monument.

Në faqen e vetë në internet, ky dikaster njofton se përzgjedhja e ngjyrës së fasadës, është bërë në bashkëpunim me hartuesit e projektit nga OJQ Trashëgimia Kulturore Pa Kufij dhe përgjegjësit e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Mitrovicë, në cilësinë e organit mbikëqyrës.

Klani merr vesh se kjo shtëpi, pos të kuqes e të verdhës, do të ndriçohet me ngjyra të ndryshme përkatëse në ditët e festave dhe ngjarjeve shtetërore të Kosovës dhe të kombit shqiptar. /klankosova.tv

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy