Kosova do ta pranojë zyrtarisht nesër Raportin e Progresit, siç tha kryeministri në një konferencë të sotme për media.
Albin Kurti u pyet për vërejtjet e përmendura në këtë raport, ndërsa tha se do të flasë për to pasi t’i lexojë ato që “thuhen, shkruhen e aludohen” në raport.
“Për çështjen e integrimit evropian, raporteve me Bashkimin Evropian, nesër do ta pranojë edhe zyrtarisht Raportin e Progresit për vendin tonë dhe do të mundemi që t’ju drejtohemi lidhur me të gjitha gjërat të cilat thuhen e shkruhen e aludohen aty, sepse është shumë voluminoz, por besoj që qysh në ditën e parë, për thekset kryesore do të mund të diskutojmë e t’i shqyrtojmë ato”, tha ai.
Në fund të konferencës për media, kryeministri paralajmëroi se mund të dalë edhe nesër përpara gazetarëve.
“Mirupafshim në konferencat e tjera, ndoshta edhe nesër”, tha ai.
Komisioni Europian pritet të kërkojë nga Kosova dhe nga Serbia që të shpejtojnë në ndërmarrjen e hapave në zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes tyre.
Raporti e kritikon Kosovën për “veprimet e pakoordinuara” të cilat thuhet se kanë nxitur tensione.
Komisioni Europian kërkon në Raport nisjen e procedurës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, mbi bazën e draft-statutit të propozuar nga Bashkimi Europian
Për shkak të refuzimit të Kosovës për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese këtë draft-statut, vendi e humbi mundësinë që të anëtarësohej në Këshillin e Europës në maj.
Raporti i Progresit, ndër tjerash, përmend edhe përpjekjen e pushtetit për të ushtruar kontroll ndaj mediave