Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj 15 të akuzuarve për veprat penale “Krim i organizuar” dhe “Kontrabandim me migrantë” në gjykimin për mashtrim me viza, i njohur si rasti “Ukë Rugova II”.
Në këtë rast të akuzuar janë Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri, Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Dritëro Voça, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami.
Aktgjykimi ndaj tyre u shpall të martën, nga kryetari i trupit gjykues, Kujtim Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjyqtari Krasniqi deklaroi se shpenzimet bien në barrë të buxhetit të gjykatës si dhe palët e pakënaqura kundër këtij aktgjykimi kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit në afat prej 30 ditësh pas pranimit të tij në formë të shkruar.
Po ashtu, i njejti udhëzoi palën e dëmtuara në kontest juridiko-civil për realizimin e kërkesës pasurore-juridike.
Fillimisht, gjatë seancës së paradites palët deklaruan si i qëndrojnë pranë fjalëve hyrëse dhe fjalëve përfundimtare të cila i kanë dhënë në seancat paraprake.
Ndryshe, më 12 tetor 2023 të akuzuarit e lartcekur ishin liruar nga akuza për krim të organizuar dhe kontrabandim me migrantë, ndërsa Fitim Beqiri, Azad Beqiraj dhe Visar Beqiri ishin dënuar për armëmbajtje pa leje.
Kjo çështje ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, e cila ka e vërtetuar dispozitivin e aktgjykimit sa i përketë veprës penale për armëmbajtje, ndërsa e ka kthyer çështjen në rivendosje vetëm për veprën penale “Kontrabandim me migrantë” dhe “Krimi i Organizuar”.
Ndryshe, ky rast gjykohej nga misioni i EULEX-it, por pas përfundimit të mandatit, lënda ishte transferuar të vendorët.
Pasi që lënda ishte transferuar tek gjykatësit vendor, në janar të vitit 2018, përpjekja e parë për mbajtje të seancës ishte bërë pas një viti, përkatësisht në janar të vitit 2019, mirëpo kjo seancë kishte dështuar në mungesë të katër të akuzuarve.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e ngritur më 16 maj të vitit 2016, e ngarkonte Ukë Rugovën se gjatë periudhës maj 2011 deri në shkurt 2014 ka menaxhuar një grupi kriminal duke furnizuar individë me viza shengen të BE-së, nga Ambasada Italiane në Prishtinë. Të gjitha këto viza supozohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit.
Aktakuza që ishte përpiluar nga prokurori Allen Cansick, thekson se PSRK-ja ka pranuar nga Prokuroria Italiane në Romë një kopje të dosjes së tyre lidhur me vizat ku përfshihet edhe emri i ish–ambasadorit Italian në Kosovë, Michael Giffoni.
PSRK-ja pretendonte se 15 të akuzuarit Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri, Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Dritëro Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami, kishin vepruar si grup kriminal bashkë me Ukë Rugovën dhe të tjerët, me qëllim sigurimin e përfitimit material në atë mënyrë që qytetarët të pajisen me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë.
Ky rast është ndarë në dy pjesë, pasi siç kishte thënë gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, një gjë e tillë është bërë në mënyrë që gjykim të jetë më efikas.
Rasti “Ukë Rugova I”, më 30 mars 2023 ka marrë epilog në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku Ukë Rugova u lirua nga akuza për krim të organizuar me vizat italiane, ndërsa u dënua me 6 mijë euro për armëmbajtje pa leje.
Pra, Themelorja mori aktgjykim lirues lidhur me veprën penale krim i organizuar ndaj ish-deputetit Ukë Rugova, ish-ministrit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Astrit Haraqija, Qefser Bahollit dhe Izet Beqirit, ndërsa aktgjykim dënues për armëmbajtje pa leje ndaj Rugovës, Bahollit dhe Beqirit.