Bashkimi Evropian ka publikuar sot Raportin e Progresit për Kosovën.
Zv.kryeministri Besnik Bislimi, e ka lexuar pozitivisht raportin e BE-së.
“Tek blloku i kritereve ekonomike, raporti vlerëson se Kosova ka shënuar rritje të fortë ekonomike, duke dëshmuar qëndrueshmëri përballë sfidave të jashtme si inflacioni global por dhe recesioni ekonomik. Kjo vjen si rrjedhojë e përmirësimit të mbledhjes së të hyrave buxhetore dhe menaxhimit fiskal, që ka çuar edhe në uljen e deficitit buxhetor. Për më shumë, vlerësohet pozitivisht edhe menaxhimi i financave publike dhe angazhimi për politika të përgjegjshme fiskale që synojnë si zgjerimin e bazës tatimore ashtu dhe uljen e informalitetit”, është shprehur Bislimi.
Sipas ZKM-së, Bislimi ka pohuar se “Komisioni Evropian po ashtu përgëzon Kosovën për përgatitjen dhe miratimin e Agjendës së Reformave në kuadër të Planit të Rritjes për vitet 2024-2027, e vlerësuar si një agjendë relevante, ambicioze, dhe që synon të përmbushë qëllimet e instrumentit të ri për reforma dhe rritje ekonomike”.
Ai përmendi edhe të arriturat në kuadër të bllokut të kritereve politike, atyre ekonomike, politikave sociale, sektoriale dhe agjenda e gjelbër.
“Ne e mirëpresim vlerësimin e progresit nga Komisioni Evropian, por edhe më shumë i mirëpresim rekomandimet e këtij raporti të cilat do merren seriozisht për periudhën e ardhshme. Implementimi i rekomandimeve nga raporti është i rëndësishëm për ne, jo vetëm në prizmin e progresit në integrim evropian, por edhe drejt zhvillimit të mëtutjeshëm të vendit tonë. Do të vazhdojmë zbatimin e rekomandimeve, por edhe prioritizimin politik të agjendës së integrimit evropian, pavarësisht masave të padrejta që janë në fuqi.” tha zëvendëskryeministri, duke shtuar se Kosova tashmë i ka përmbushur të gjitha kërkesat dhe bazuar në rekomandimet e Përfaqësuesit të Lartë, z. Borrell, presim që Këshilli ta marrë një vendim të shpejtë për heqjen e tyre, thuhet në njoftimin e ZKM-së, dërguar mediave.
“Kosova ka dëshmuar se është aleate e besueshme e Bashkimit Evropian dhe beson fort në të ardhmen e saj evropiane. Si shembull i demokracisë në rajon, kemi treguar përkushtimin tonë sa herë që na është dhënë një mundësi e barabartë. Tani është koha që edhe Bashkimi Evropian të tregojë se e sheh Kosovën si pjesë të saj, duke mbajtur procesin e integrimit meritokratik dhe duke avancuar Kosovën në status të kandidatit.” përmbylli fjalën e tij zëvendëskryeministri Bislimi.