Para dy ditësh është përuruar asfaltimi i një rruge që lidh fshatin Kërstec të Komunës së Dragashit dhe dy fshatra të Shqipërisë të banuar nga komuniteti joshumicë. Në këtë përurim ka marrë pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, pasi që Qeveria kishte ndarë 2.6 milionë euro për përurimin e kësaj rruge.
E sot në një reagim për media, nga komuna e Dragashit kanë thënë se ftesë për pjesëmarrje në këtë përurim nuk ka pasur kryetari i komunës që vjen nga LDK-ja, Bexhet Xheladini.
“Para dy ditësh u bë përurimi i rrugës së asfaltuar e cila lidh fshatin Kërstec të Komunës së Dragashit dhe dy fshatra të Shqipërisë të banuar nga komuniteti joshumicë. Për ndërtimin e kësaj rruge Qeveria e Kosovës ndau 2,6 Mil. euro. Në ceremoninë e përurimit, përveç Kryeministrit Kurti të ftuara ishin edhe shumë personalitete nga Kosova dhe Shqipëria, e ndër ta edhe kryetari i Bashkisë Kukës. Në këtë ceremoni nuk ishte ftuar kryetari i Komunës së Dragashit, z.Bexhet Xheladini, si dhe asnjë përfaqësues nga komuniteti joshumicë, nëpër pronat e të cilëve u ndërtua kjo rrugë”, ka thënë ai.
Nga kjo komunë kanë deklaruar se mosftuarja e Xheladinit ka të bëjë me një lëshim protokollar, teksa thanë se është edhe një veprim i shëmtuar dhe jo i ndershëm i atyre që e organizuan këtë ceremoni.
“Mosftuarja e kryetarit të Komunës sonë dhe ftuarja e kryetarit të Bashkisë Kukës, ishte një lëshim protokollar dhe një veprim i shëmtuar dhe jo i ndershëm i atyre që e organizuan këtë ceremoni. Po ashtu edhe injorimi që iu bë komunitetit joshumicë të Komunës sonë.Komuna e Dragashit është e përkushtuar për ndërtimin e raporteve të mira dhe korrekte ndërinstitucionale, pavarësisht dallimeve politike, partiake, ideologjike, etj. Andaj, shpresojmë që në të ardhmen, gjeste të tilla të pahijshme nga ana e institucioneve të mos ndodhin”, thuhet tutje në reagim.