Kryeministri Albin Kurti sot në Zvicër u takua me këshilltarin Federal të Zvicrës dhe kryesuesin e Departamentit për Çështje Ekonomike, të Arsimit dhe Hulumtimit, Guy Parmelin.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti tha se Kosova dhe Zvicra kanë marrëdhënie të shkëlqyera, me diasporën tonë si urëlidhëse dhe faktor i rëndësishëm i bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve tona.
Ai gjithashtu shprehu mirënjohjen për “mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës” dhe theksoi rëndësinë e thellimit edhe më tej të marrëdhënieve mes dy shteteve.
“Bashkëpunimi ynë ekonomik dhe tregtar po shtohet çdo vit, gjersa niveli i përgjithshëm i investimeve të huaja direkte nga Zvicra në Kosovë në katër vitet e fundit është rritur për rreth 170%”.
Ndërkaq, ZKM tha se ai nënvizoi edhe “rritjen e eksporteve nga Kosova drejt Zvicrës, ku në të njëjtën periudhë kohore, eksportet janë gati dyfishuar dhe përfshijnë një shumëllojshmëri produktesh si metale, produkte minerale, ushqime, plastikë, gomë, makineri, pajisje, materiale elektrike dhe tekstile”.
Zvicra është tashmë destinacioni i pestë më i madh për mallrat e Kosovës, thuhet në njoftim.
“Në takim u theksua fakti se Kosova ka arritur Marrëveshjeve për Tregti të Lirë me vendet anëtare të EFTA-s, pjesë e së cilës është edhe Zvicra. Kosova është i vetmi vend në rajon që përveç negocimit për tregti të mallrave, ka negociuar edhe për tregti të shërbimeve me vendet EFTA-n, duke shtuar kështu korpusin e mundësive për shkëmbime dhe bashkëpunim”.