Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit E.M., për veprën penale “Zjarrvënia”.
E. M, sipas Prokurorisë, dyshohet se ka shtyrë dy të mitur t’ia dëmtojë veturën A.D, me të cilin ai ishte mllefosur. Njërin prej të miturve e ka nxitur që t’ia dëmtojë veturën dhe tjetrin që t’ia hedhë benzinën dhe t’ia vë flakën veturës, e cila u dogj tërësisht.
Ngjarja ka ndodhur në parkingun e një qendre tregtare.
“Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se me datë 24 tetor 2024, në Ferizaj, i pandehuri E.M., me dashje ka shtyrë dy të mitur që të kryejnë veprën penale zjarrvënia, në atë mënyrë pasi që i njëjti ishte mllefosur me të dëmtuarin A.D., shtytë njërin nga të miturit që për çmimin prej 1000 Euro, të i vë zjarrin veturës së të dëmtuarit, kështu që rreth orës 03.26, në parkingun e qendrës tregtare “The Village”, njëri nga miturit me një çekan thyen dritaren e derës së veturës së të dëmtuarit të tipit “Fiat Abart”, e pastaj i mituri tjetër hedh benzinë në brendi të veturës dhe ia vë flaken, e cila dëmtohet tërësisht dhe vlera e dëmit të shkaktuar është rreth 19.000.00 euro , me të cilën do të kryente shtytje për të kryer veprën penale “Zjarrvënia” nga neni 322 paragrafi 1 lidhur me nenin 32 paragrafi 1të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
I pandehuri që nga data 31 tetor 2024 me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për veprën penale të lartcekur.