Ali Ahmeti: Ndërhyrja nga Kosova në zgjedhje, ka një kosto të lartë për ne shqiptarët e Maqedonisë së Veriut

by Nexhat

Kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka thënë se edhe Kosova ka një obligim moral dhe kombëtar që ta ngrejë zërin dhe të mos pajtohet me rrezikimin apo cenimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut.

Mirëpo, Ahmeti ka shtuar se nuk është mirë që të bëhet ndërhyrje as nga Shqipëria e as nga Kosova, duke thënë se nga ndërhyrja në zgjedhje nga Kosova, ka një kosto të lartë për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.

banner

“Nuk është mirë të bëhet ndërhyrje, as nga Shqipëria, as nga Kosova, po as ne nga Republika e Maqedonisë së Veriut të ndërhyjmë në procese, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Rrethanat i njohin më së miri ata që jetojnë dhe organizohen politikisht, si në Shqipëri, ashtu edhe Kosovë. Ata e dinë se si duhen zgjidhur problemet. Populli që jeton andej e di më së miri se kush mund t’i përfaqësojë më së miri qytetarët, shqiptarët e Kosovës, dhe shqiptarët e Shqipërisë, gjithashtu edhe në Maqedoninë e Veriut”, ka thënë Ahmeti në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.

Sipas tij, çdo ndërhyrje e mundshme mund të sjellë, fërkime, mospajtime apo hidhërime ndaj politikanëve, qofshin në Shqipëri apo Kosovë.

“Ja një shembull: Artan Grubi është zëvendësuar me Ivan Stoilkoviqin, i cili është ministër për Sistem Politik dhe Përgjegjës për Komunitetet, pra është përgjegjës për Marrëveshjen e Ohrit. Stoilkoviqi është mik i [Vladimir ] Putinit dhe i [Aleksandër] Vuçiqit, gjë që ai e pranon dhe madje krenohet me të. Ky është rezultat i mosnjohjes së rrethanave në Maqedoninë e Veriut, dhe kjo ndërhyrje që është bërë nga autoritete, jo të gjithë, nga Kosova, ka një kosto të lartë për ne shqiptarët e Maqedonisë së Veriut”, ka deklaruar Ahmeti.

Ahmeti ka thënë se të gjithë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut duhet ta ngrenë zërin, që gjuha shqipe mos t’u rrezikohet dhe përfaqësimi etnik të mos cenohet.

“Kjo nuk është çështje partiake, por një çështje që u takon të gjithë shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, por u takon edhe shqiptarëve të Shqipërisë. Institucionet në Shqipëri, i obligon dhe detyron Kushtetuta që të ngrenë zërin kundër padrejtësive që mund t’u shkaktohen bashkëkombësve të tyre në Republikën e Maqedonisë së Veriut, apo në Serbi, apo në Mal të Zi”, ka shtuar tutje ai

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy