Kurti homazhe në 35-vjetorin e rënies së Afrim Zhitisë e Fahri Fazliut: Veprimtarë e luftëtarë të denjë

by Nexhat

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar, bënë homazhe pranë varreve të heronjve të kombit, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, në 35-vjetorin e rënies së tyre.

Kryeministri Kurti tha se Zhitia e Fazliu, ishin veprimtarët më të denjë, luftëtarët më të paepur dhe heronjtë e vendit tonë.

banner

Ai tha se punën kryesore për shtetin e Kosovës e kanë kryer dëshmorët e kombit

“Para 35 vjetëve mbi 6 orë kanë zgjatur luftimet në lagjen Bregu i Diellit tek hyrja e tretë e bllokut të tretë ku luftuan Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, derisa ranë heroikisht për çlirimin e Kosovës dhe për dëbimin e forcave okupatore e armike serbe nga atdheu i ynë…

Ato kanë qenë rrethana tejet të vështira, të pa imagjinueshme për neve sot dhe në ato rrethana janë kalitur veprimtarët më të denjë, luftëtarët më të paepur dhe heronjtë e popullit tonë që janë Afrim Zhitia, Fahri Fazliu dhe shumë të tjerë që do të vazhdojnë rrugën e tyre deri tek kryengritja popullore e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ne nuk harrojmë prej nga vijmë dhe nuk harrojmë që pjesën më të madhe të punës dhe kryesore e kanë kryer dëshmorët e kombit. Ndërkaq, neve të tjerëve na ka ngelur një pjesë e rëndësishme e punës, por megjithatë shumë më e vogël sesa e atyre”, tha Kurti.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se liria e Kosovës erdhi pasi vendi ynë kishte njerëz si Afrim Zhitia e Fahri Fazliu

“Ata jo vetëm që ishin çlirimtarë e luftëtarë, por ata ishin edhe intelektual të mëdhenj. Veprat e tyre, shkrimet, mendimi i tyre politikë na frymëzon edhe sot e kësaj dite sepse është mendim politikë çlirimtarë, është mendim i vetëdijes së lirisë. Ata përmes sakrificës së tyre sublime, duke dhënë edhe jetën për atdhe u bënë edhe trashëgimi, sepse amanetin e lanë për çlirimtarët e ardhshëm. Ata duke dhënë shembullin ideal përmes dhënies së jetës, u bënë pararënës të vërtetë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prandaj do të kujtohen gjithmonë edhe prej institucioneve por mbi të gjitha prej popullit dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha Konjufca.

Ndërkaq, homazhe bënë edhe deputetë nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës

Fahriu dhe Afrimi ranë më 2 nëntor 1989, në Bregun e Diellit në Prishtinë, pas një luftimi të pabarabartë me forcat e armikut.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy