Turqia ka dorëzuar një letër në Kombet e Bashkuara, të nënshkruar nga 52 vende dhe dy organizata, në të cilën kërkon ndalimin e dërgesave të armëve për Izraelin.
Në një konferencë shtypi në Xhibuti, ku po merrte pjesë në një samit të partneritetit Turqi-Afrikë, ministri i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan njoftoi mediat për dorëzimin e letrës.
“Ne kemi shkruar një letër të përbashkët duke u bërë thirrje të gjitha vendeve që të ndalojnë shitjen e armëve dhe municioneve Izraelit. Ne e dorëzuam këtë letër, e cila ka 54 nënshkrime, në OKB më 1 nëntor”, tha Hakan Fidan.
Ndër nënshkruesit janë Arabia Saudite, Brazili, Algjeria, Kina, Irani dhe Rusia, ndërsa dy organizatat janë Liga Arabe dhe Organizata e Bashkëpunimit Islamik.
“Ne duhet të përsërisim në çdo rast se shitja e armëve Izraelit do të thotë pjesëmarrje në gjenocidin e tij”, tha Fidan, duke shtuar se letra ishte “një nismë e iniciuar nga Turqia”.
Në tetor, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan i bëri thirrje gjithashtu OKB-së që të vendosë një embargo armësh ndaj Izraelit. Ai shpjegoi se do të ishte një “zgjidhje efektive” për t’i dhënë fund konfliktit në Rripin e Gazës.