Shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi ka folur për informacionet e rreme që një agjent i AKI-së ia ka dhënë mediumit boshnjak ‘Sloboda Bosna’ për mediumet ‘Periskopi’ dhe ‘Nacionale’, kinse që të njëjtat kontrollohen nga Serbia.
Gashi ka thënë se këto informacione kanë rrezikuar jetën e gazetarëve dhe helmuar ambientin politik
“Këto informacione të rrejshme kundër kolegëve të tyre, u prodhuan dhe u shpërndanë në emër të një institucioni me rëndësi vitale për sigurinë e Kosovës, në emër të Agjencisë së Inteligjencës. Kjo agjenci nuk guxon dhe nuk duhet të përbaltet dhe të përfshihet në skandale të tilla. Ky problem i shkaktuar nga kjo qasje, i bazuar në këtë mentalitet të kapjes dhe kontrollit, të prodhimit të informacionit të pavërtetë, ka rrezikuar jetën e qytetarëve të Kosovës, si gazetarë të Kosovës, ka helmuar ambientin politik dhe ka dëmtuar rëndë dhe pariparueshëm besimin e qytetarëve të Kosovës dhe të partnerëve ndërkombëtarë të AKI.”, tha Gashi.
Përveç tjerash, deputeti tha se AKI e ka humbur kredibilitetin e saj tek partnerët ndërkombëtarë
“AKI është insitucion që mbledhë informacion dhe këtë informacion e përpunon dhe e dërgon te agjenci tjera ligjzbatuese por punën e saj kryesore në aspektin e fushës së sigurisë nacionale, e ka me partnerët ndërkombëtarë. Imagjinoni ju, sa mund të jetë e besueshme një agjenci e cila përfshihet në skandale të prodhimit të informacioneve të pasakta, qëllimshëm për dëmtimin e gazetarëve apo për krijimin e opinionit public të rrejshëm. Një Agjenci e tillë bëhet e pabesueshme për partnerët ndërkombëtarë, informatorët e mundshëm dhe bëhet e rrezikshme për qytetarët e Kosovës. Si mund të lejohet që AKI të përdorët në interes të një grupi politik, të prodhojë informacione të rrejshmë në interes të një grupi politik, në këtë rast të Vetëvendosjes të kontrolluar nga Dejona Mihali, e cila është vërtetuar që kontrollon institucionet e pavarura ligjore dhe kushtetuese në Kosovë”, ka thënë Gashi në Kuvend.
Gashi deklaroi se përcjellja që AKI po ua bën gazetarëve është antikushtetuese dhe ata që kanë shpërndarë informacione të pasakta e qëllimshëm, duhet të hyjnë në burg
“Përcjellja nga kjo Agjenci e gazetarëve është antikushtetuese, antiligjore, e dëmshme dhe duhet të ndalet menjëherë, sepse koha po vjen, këto institucione do të marrin përgjegjësi penale. Personat përgjegjës që kanë monitoruar, prodhuar dhe shpërndarë informacione të pasakta dhe të pavërteta do të ndjeken penalisht, do të shkojnë në burg”, tha Gashi