Në kryeqytetin e Kosovës është përuruar ambasada më e re e një shteti mik. Bëhet fjalë për Luksemburgun, i cili prej tash do të ketë përfaqësinë e vet diplomatike me seli në Prishtinë. Ambasada u përurua me një ceremoni ku morën pjesë presidentja Vjosa Osmani, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Luksemburgut, Xavier Bettel, ministra, deputetë, ambasadorë dhe diplomatë. Ministrja Gërvalla ka thënë se prania diplomatike e Luksemburgut në Kosovë dëshmon një përkushtim të palëkundur për ta kthyer këtë partneritet në projekte konkrete që fuqizojnë ekonominë dhe krijojnë mundësi të reja për të rinjtë tanë.
“Republika e Kosovës dhe Luksemburgu mbeten të vendosur për të promovuar paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe Europë, veçanërisht në një kohë kur kërcënimet dhe përpjekjet për destabilizim nga Rusia dhe aleatët e saj janë në rritje të vazhdueshme”- ka shkruar ajo në Facebook më 05.11.2024.Një ditë më parë, Kosova dhe Luksemburgu nënshkruan një marrëveshje memorandumi me vlerë 35 milionë euro.Kosova do përfitojë 35 milionë euro nga ky memorandum, të cilat do të jenë të koncentruara në sektorin privat, me fokus inovacionin.Për hapjen e ambasadës dhe nënshkrimit të marrëveshjes në Kosovë erdhi ministri luksemburgas Xavier Bettel.
Gjatë dy ditëve, Bettel zhvilloi takime me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, ministren Donika Gërvalla, dhe zyrtarë tjerë të kabinetit qeveritar.Bettel vizitoi edhe Kuvendin e Kosovës, aty ku pa prej së afëmri sistemin elektronik të votimit që u mundësua si donacion nga Luksemburgu.Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi gjatë takimit me Bettel tha se përmes projekteve të ndryshme financiare Luksemburgu deri më tani ka investuar rreth 100 milionë euro në Republikën e Kosovës, duke kontribuar kështu në zhvillimin dhe progresin ekonomik dhe shoqëror.