Me rizgjedhjen e Donald Trump si president i SHBA’ve, Ukrainës së shpejti do t’i duhet të përshtatet me një reduktim dramatik të mbështetjes së SHBA-së që mund të ketë një ndikim vendimtar në luftën me Rusinë, shkruan CNN.
Përgjatë fushatës, Trump dhe JD Vance kanë hedhur dyshime të forta mbi angazhimin e vazhdueshëm të Amerikës ndaj Ukrainës, ku lufta ka filluar qe më shumë se dy vjet.
CNN raporton se fitorja e Trump vjen në një moment të pasigurt të konfliktit në Kiev.
Nën administratën e Bidenit, SHBA ka dhënë dhjetëra miliarda dollarë ndihmë për Ukrainën, duke përfshirë armë dhe ndihmë buxhetore. Administrata planifikon të vazhdojë të shtojë sa më shumë mbështetje për Kievin përpara se Trump të marrë detyrën.
Trump e ka lavdëruar vazhdimisht Putinin dhe ka kritikuar presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, me të cilin ai ka një histori të ndërlikuar.
Trump ka thënë se lufta Ukrainë-Rusi nuk do të kishte filluar nëse ai do të kishte qenë president. Ai është zotuar gjithashtu se do t’i japë fund luftës, ndonjëherë edhe duke pretenduar se do të ndalonte konfliktin shumëvjeçar para se të merrte detyrën. Në korrik, ai tha se mund ta zgjidhte konfliktin brenda një dite
Në debatin presidencial të gushtit, Trump refuzoi të thoshte se ishte i përkushtuar që Ukraina të mposhtte Rusinë. Në shtator, ai sugjeroi se Ukraina duhet të “kishte hequr dorë pak” nga Moska, duke thënë se “çdo marrëveshje, madje edhe marrëveshja më e keqe, do të kishte qenë më e mirë se ajo që kemi tani”.
“Nëse do të bënin një marrëveshje të keqe, do të kishte qenë shumë më mirë. Ata do të kishin hequr dorë pak dhe të gjithë do të jetonin”, tha Trump.
Vetëm disa ditë pas këtyre komenteve, kur Trump u takua me Zelensky në Neë York City, ai theksoi se do të punonte për të arritur një marrëveshje të mirë për “të dyja palët”.
“Ne kemi një marrëdhënie shumë të mirë, dhe unë gjithashtu kam një marrëdhënie shumë të mirë, siç e dini, me Presidentin Putin. Dhe mendoj se nëse fitojmë, do ta zgjidhim shumë shpejt”, tha ai.
Zelensky ka hartuar një “plan fitoreje” dhe ka thënë se Ukraina nuk është kundër negociatave, por ato duhet të jenë nga “një pozicion fuqie”. Në një konferencë për shtyp në fund të tetorit, presidenti ukrainas tha se “Trump flet shumë, por nuk e dëgjova të thoshte se do të reduktonte mbështetjen për Ukrainën”.
Megjithatë, në një intervistë me KBS të Koresë së Jugut, Zelensky pranoi se “presidenti i ardhshëm i SHBA mund të forcojë ose dobësojë mbështetjen për Ukrainën”.
“Nëse kjo mbështetje dobësohet, Rusia do të pushtojë më shumë territore, kjo do të na pengojë të fitojmë këtë luftë. Ky është realiteti. Qëndrimi ynë nuk ka të bëjë me kompromise territoriale, por me eksplorimin e shtigjeve të mundshme diplomatike që mbështeten në ruajtjen e angazhimit të SHBA-së. Një dëshirë e vërtetë nga Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund kësaj lufte me shpejtësi është thelbësore”, tha ai