Sulmet izraelite në Liban vranë të paktën 30 njerëz rreth qytetit lindor të Baalbek në Luginën Bekaa të mërkurën, sipas guvernatorit rajonal, dhe në muzg sulme të tjera goditën periferitë jugore të Bejrutit.
Izraeli dhe Hezbollahu i mbështetur nga Irani kanë shkëmbyer zjarr për më shumë se një vit paralelisht me luftën në Gaza, por luftimet janë përshkallëzuar në mënyrë dramatike që nga fundi i shtatorit, me trupat izraelite që intensifikuan bombardimet në zonat jugore dhe lindore të Libanit dhe duke bërë inkursione tokësore në fshatrat kufitare.
Rreth 20 sulme izraelite në provincën Baalbek-Hermel vranë 30 njerëz dhe plagosën 35, tha guvernatori Bachir Khodr në X. Ushtria izraelite nuk komentoi menjëherë.
Sulmet izraelite kanë goditur gjithashtu bastionet e Hezbollahut në periferitë jugore të kryeqytetit Bejrut. Të paktën katër sulme shënjestruan zonën të mërkurën pasi ushtria izraelite urdhëroi banorët të evakuoheshin nga disa vende.
Nuk kishte asnjë raport të menjëhershëm për viktima apo detaje mbi atë që u godit. Sulmi ndodhi pak pasi sekretari i përgjithshëm i Hezbollahut, Naim Qassem tha se nuk besonte se “veprimet politike” do të sillnin fundin e armiqësive.
Ai tha se mund të kishte një rrugë drejt negociatave indirekte nëse Izraeli ndalonte sulmet e tij. “Kur armiku vendos të ndalojë agresionin, ka një rrugë për negociata që ne e kemi përcaktuar qartë – negociata indirekte përmes shtetit libanez dhe kryetarit (të parlamentit) Nabih Berri”, tha Qassem.