“Pa njohje s’ka Asociacion”, Hoxhaj: Trump e zgjidh çështjen Kosovë – Serbi brenda këtij mandati

by Nexhat

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se nën administratën e ish-presidentit amerikan Donald Trump, Ballkani do të jetë më i qëndrueshëm dhe stabil.

Ai theksoi se një qeverisje e Trump do të kishte një angazhim më të madh për stabilitetin në rajon dhe një qasje më të vendosur në zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura.

banner

“Besoj se rajoni do të jetë më stabil dhe një administratë nën udhëheqjen e Trump do të jetë më e përkushtuar për stabilitetin në rajon. Do të ketë një vazhdimësi dhe një vendosmëri për të shtyrë përpara disa çështje të pambyllura në Ballkan,” tha Hoxhaj për A2CNN.

Tutje shtoi se përkushtimi i SHBA-ve ndaj Ballkanit është i domosdoshëm dhe se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë mund të arrijë një epilog të favorshëm për qytetarët e Kosovës dhe shqiptarët në rajon. Hoxhaj theksoi gjithashtu se anëtarësimi i Kosovës në NATO duhet të jetë prioritet

Në një analizë të hollësishme mbi të ardhmen e Kosovës dhe gabimet e qeverisë aktuale të udhëhequr nga Albin Kurti, Hoxhaj shprehu bindjen se Trump do të mbyllte çështjet e mbetura pezull në Kosovë brenda mandatit të tij. Ai përmendi edhe projektin 20/25 të hartuar nga njerëzit pranë Trump, që përfshin prioritetin e anëtarësimit të Kosovës në NATO, një hap që, sipas tij, do të krijonte një balancë të qëndrueshme në raport me Serbinë dhe rajonin.

Hoxhaj përmendi gjithashtu ndikimin që situatat politike në Evropë, si kriza në qeverinë gjermane dhe situata në Francë, mund të kenë mbi dialogun Kosovë-Serbi dhe theksoi rëndësinë e një partneriteti të fortë amerikano-evropian.

Një qeveri e përgjegjshme në Kosovë, sipas tij, mund të jetë faktor kyç për përmbylljen e dialogut me njohje të ndërsjellë.

Në lidhje me çështjen e krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Hoxhaj u shpreh se kjo nuk duhet të ndodhë pa siguruar njohjen e Kosovës nga Serbia.

Sipas tij, anëtarësimi i Kosovës në NATO do të ishte ndëshkimi më i mirë për Serbinë pas sulmit terrorist në Banjskë.

“Dëmi më i madh që qeveria Kurti i ka shkaktuar Kosovës është dështimi për të përmbyllur dialogun me administratën Biden, duke humbur kështu një mundësi historike. Mënyra më e mirë për të ndëshkuar Serbinë për agresionin e 24 shtatorit është anëtarësimi i Kosovës në NATO, që do të përbënte prioritetin më të lartë,” u shpreh Hoxhaj, duke theksuar se me një administratë të përkushtuar ndaj Ballkanit, Kosova duhet të kërkojë mbështetje për nënshkrimin e një plani veprimi me NATO-n dhe për të siguruar një udhërrëfyes drejt anëtarësimit, duke parandaluar kështu një rikthim të hegjemonisë serbe në rajon

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy