Ish-kryeministri, Avdullah Hoti ka thënë se Qeveria e ardhshme duhet ta kthejë fokusin te Marrëveshja e Uashingtonit.
Hoti thotë se nisja e projekteve të mëdha infrastrukturore është interes strategjik i Kosovës.
Deputeti i LDK-së shprehet se Qeveria e re duhet menjëherë të nis përgatitjen e planeve zbatuese dhe të sigurojë financimin bazë, për të hyrë më tutje në negociata me partnerët strategjik të Kosovës për zbatim dhe financim të plotë të projekteve.
Ai thotë se me qeverinë aktuale kanë humbur katër vite pa u bërë asgjë në këtë drejtim.
“Besoj shumë se qeveria e ardhshme e Kosovës duhet ta kthejë fokusin tek zbatimi i projekteve të parapara në Marrëveshjen e Uashingtonit të 4 shtatorit 2020. Nisja e projekteve të mëdha infrastrukturore është interes strategjik i Kosovës. Qeveria e re duhet menjëherë të nis përgatitjen e planeve zbatuese dhe të sigurojë financimin bazë, për të hyrë më tutje në negociata me partnerët strategjik të Kosovës për zbatim dhe financim të plotë të projekteve. Pas krizës energjetike, projekti i gazit ka marrë dimensione të sigurisë kombëtare. Në anën tjetër, hekurudhora për Durrës e bën Prishtinën nyje të dy porteve detare, të Selanikut dhe Durrësit, dhe portë hyrëse infrastrukturore për më tutje në Ballkan dhe Evropën Qendrore. Katër vite kanë humbur. Qindra miliona euro investime nuk kanë ndodhur e mijëra vende pune nuk janë krijuar. Kjo duhet të ndryshojë. Projektet infrastrukturore të Marrëveshjes së Uashingtonit i tejkalojnë dimensionet ekonomike – ato janë çështje e sigurisë kombëtare dhe qëndrueshmërisë ekonomike afatgjate të Republikës së Kosovës”, ka thënë Hoti