AAK nuk e voton nesër buxhetin, Lekaj: Kemi shqetësime serioze për mënyrën se si është hartuar

by Nexhat

Nesër në Kuvendin e Kosovës do të bëhet shqyrtimi i parë i buxhetit për vitin 2025. Për ta kaluar nevojitet shumicë e thjeshtë, pra me 61 vota. Nga partitë opozitare kanë deklaruar se nuk do ta votojnë këtë buxhet, ndërsa partia në pushtet thotë se i kanë votat. Deputeti i AAK’së, Pal Lekaj, ka thënë se nuk do ta votojnë projektbuxhetin për 2025’tën pasi shton se kanë “shqetësime serioze mënyrën se si është hartuar”

Nesër nga ora 10:00 deputetët e Kuvendit të Kosovës do t’i kthehen sallës plenare. Aty do të diskutohet vetëm një pikë e rendit të ditës që është shqyrtimi i parë i Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025.

banner

Deputeti i AAK’së, Pal Lekaj, në një prononcim për media tha se nuk do ta votojnë projektbuxhetin për vitin 2025.

Ai shtoi se kanë shqetësime serioze për mënyrën se si është hartuar ky buxhet dhe se si janë alokuar fondet.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka një qëndrim të qartë për buxhetin e vitit 2025. Ne kemi shqetësime serioze për mënyrën si është hartuar ky buxhet dhe se si alokohen fondet, duke parë se shumë sektorë kyç nuk po marrin mbështetjen e duhur. Ne besojmë që qeveria ka prioritetizuar në mënyrë të gabuar, duke i lënë pas dore disa nga çështjet themelore të zhvillimit ekonomik dhe sociale për vendin.”

Lekaj ka thënë se AAK e sheh që buxheti nuk reflekton një plan të qartë për përmirësimin e kushteve për qytetarët.

“Po ashtu, AAK e sheh se buxheti nuk reflekton një plan të qartë për përmirësimin e kushteve për qytetarët dhe nuk adreson problemet e emergjencës në sektorë si shëndetësia, arsimi dhe energjia. Kemi frikë që ky buxhet mund të thellojë krizën në vend dhe për këtë arsye, në gjendjen e tij aktuale, nuk shohim si mund ta mbështesim. Për këto arsye qe i ceka me lart nuk do e votojmë buxhetin”, tha Lekaj për Express.

Ndërsa deputetja e LDK’së, Hykmete Bajrami, ka thënë se ky është një buxhet tranzitor, pasi sipas saj pas 9 shkurtit Kosova do të ketë kryeministër Lumir Abdixhiku.

Ish ministrja e Financave ka shtuar se do të hartojnë buxhetin nga fillimi dhe se do të ketë rishikim të mirëfilltë për të reflektuar secilin zotim të programit të LDK’së “Rruga e Re”.

“Ligji i buxhetit kalon me shumicë të thjeshtë. Ky është një buxhet tranzitor, pas datës së 9 shkurtit Qeveria e Re me kryeministër Lumir Abdixhikun do ta hartojë buxhetin nga fillimi, do të ketë rishikim të mirëfilltë për të reflektuar secilin zotim të programit “Rruga e Re”, ka thënë Bajrami për Express.

Më 4 nëntor, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit opozitarët nga PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja kanë paralajmëruar se nuk do ta votojnë projektbuxhetin e Kosovës për vitin e ardhshëm që është parashikuar të jetë 3.6 miliardë euro.

Por, nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se e kanë shumicën parlamentare për ta votuar buxhetin e Republikës për vitin e ardhshëm.

Ndërsa, Lëvizja FOL ka kritikuar Qeverinë për buxhetin 2025, duke thënë se po propozon praktika të gabuara ligjvënëse.

FOL thotë se neni 9 ka përcaktuar se vlera monetare e koeficientit të pagave të punëtorëve në sektorin publik të përcaktohet me ligjin vjetor të buxhetit dhe se nuk e autorizon Qeverinë të ndryshojë strukturën e koeficientëve.

“Përkatësisht, neni 9 i Ligjit për Pagat në Sektorin Publik ka përcaktuar se vlera monetare e koeficientit të pagave të të punësuarve në sektorin publik të përcaktohet me ligjin vjetor të buxhetit, ndërsa në asnjë rast nuk e ka autorizuar Qeverinë e Republikës së Kosovës që me ligjin vjetor të buxhetit të ndryshoj strukturën e koeficientëve, veçse të përcaktuar në Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.”

Sipas FOL’it kjo praktikë ka ngjallur shqetësime për mënyrën e ndjekur.

FOL ka kërkuar nga deputetët që të mbrojnë integritetin e sistemit ligjor të Kosovës.

“Rrjedhimisht, kërkojmë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës të veprojnë me përgjegjësi dhe të mbrojnë integritetin e sistemit ligjor të Kosovës, duke siguruar që çdo ndryshim ligjor të jetë i miratuar vetëm në përputhje me procedurat dhe parimet kushtetuese dhe ligjore, për të shmangur precedentët e rrezikshëm që mund të dëmtojnë interesat e qytetarëve.” 

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy