Sallahu shpërndau një postim ku thuhet se Prokuroria Speciale është organizatë kriminale, KPK: Komente propaganduese dhe linçuese

by Nexhat

Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit i kanë reaguar zv/ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, i cili dje shpërndau një postim të Feim Kelmendit ku thuhet se “Prokuroria Speciale është shndërruar në organizatë kriminale që është vënë në shërbim të partive politike”.

KPK dhe ZKPSH thonë se deklarimet e tilla krijojnë pasiguri për prokurorët dhe familjet e tyre sepse “kanë përmbajtje jashtëzakonisht nxitëse, tendencioze, propaganduese dhe linçuese ndaj kësaj prokurorie dhe prokurorëve të saj”.

banner

“Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, reagojnë ashpër ndaj komenteve të Zëvendësministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, të bëra Facebook, duke e quajtur Prokurorinë Speciale “organizatë kriminale”, duke potencuar se deklarimet e tilla krijojnë pasiguri për prokurorët dhe familjet e tyre, sepse kanë përmbajtje jashtëzakonisht nxitëse, tendencioze, propaganduese dhe linçuese ndaj kësaj prokurorie dhe prokurorëve të saj.”

Këshilli Prokuroria dhe Zyra e Kryeprokurorit deklarojnë se “në vend që Zëvendësministri Sallahu të angazhohet dhe të ketë përkushtim maksimal, vullnet dhe iniciativa të shtuara për ngritjen e kapaciteteve, përmes rritjes së buxhetit të sistemit prokurorial për vitin 2025, i njëjti vihet në ballë të sulmeve sistematike ndaj prokurorive, prokurorëve dhe tërë sistemin prokurorial, duke harruar detyrën dhe përgjegjësitë e tij për t’u marrë me çështjet e avancimit dhe të fuqizimit të kapaciteteve përmes ndarjes buxhetore, që do t’i plotësonin nevojat e domosdoshme për kryerjen e punëve, mungesa e të cilit krijon barriera dhe paraqet vështirësi të mëdha në realizmin e përgjegjësive institucionale”.

Këto dy institucione thonë se nuk do të ndalen para linçimit publik të eksponentëve politikë.

“Këto dy institucione të pavarura, deklarojnë se nuk do të ndalen asnjëherë para linçimit publik të eksponentëve të tillë politikë, të cilët kanë vënë në shënjestër Prokurorinë Speciale dhe janë vënë në ofensivë denigruese ndaj vlerave të përgjithshme të sistemit prokurorial, duke ndërhyrë paturpësisht në punën e pavarur të Prokurorit të Shtetit, e cila pashmangshëm bie në kundërshtim me ligjet në fuqi dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.”

“Gjithashtu nënvizojmë se puna, përgjegjësia, kompetenca dhe misioni i prokurorive dhe i prokurorëve të shtetit nuk janë çështje e vullnetit dhe e fjalomanisë së individëve të caktuar dhe do të mbesin përherë jashtë çdo agjende të politikës ditore dhe nuk do të tolerojmë realizimin e qëllimeve të sojit të z.Sallahu, ngaqë Prokurori i Shtetit përditë e më tepër po intensifikon angazhimet konkrete për ndriçimin e të gjitha rasteve, përfshirë edhe rastet ndaj zyrtarëve të dyshuar që janë në pushtet, duke mos u shmangur assesi nga misioni dhe pavarësia e sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës.”

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy