Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, ka njoftuar se John Ratcliffe do të shërbejë si Drejtor i Agjencisë Qendrore të Intelegjencës (CIA).
Trump përmes një njoftimi tha se Ratcliffe ka qenë gjithmonë një luftëtar për të vërtetën dhe ndershmërinë me publikun amerikan.
“Jam i kënaqur të njoftoj se ish-Drejtori i Inteligjencës Kombëtare, John Ratcliffe, do të shërbejë si Drejtor i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA). Nga zbulimi i bashkëpunimit të rremë rus si një operacion i fushatës së Clinton, deri te kapja e abuzimit të FBI-së me Liritë Civile në Gjykatën FISA, John Ratcliffe ka qenë gjithmonë një luftëtar për të Vërtetën dhe Ndershmërinë me Publikun Amerikan. Kur 51 zyrtarë të inteligjencës po gënjenin për laptopin e Hunter Biden, ishte një, John Ratcliffe, që po thoshte të vërtetën për Popullin Amerikan”, thuhet në njoftimin e tij.
Trump nominoi për herë të parë Ratcliffe në krye të inteligjencës amerikane në vitin 2019, megjithëse Ratcliffe më vonë u tërhoq mes shqetësimeve mbi kualifikimet e tij për këtë rol.
Megjithatë, ai u konfirmua vitin e ardhshëm pasi Trump e rikanidoi atë për të udhëhequr inteligjencën amerikane.
Kur Ratcliffe u konfirmua si i nominuar në këtë pozitë në vitin 2020 nga Senati me shumicë republikane, të gjithë senatorët demokratë votuan kundër emërimit të tij, duke përmendur mungesën e përvojës së tij.
Me republikanët që do të kontrollojnë sërish dhomën vitin e ardhshëm, dhe me muaj përvojë, ai pritet të miratohet lehtësisht këtë herë.
Ratcliffe njihet për lidhje të forta me komunitetin shqiptar në SHBA. Në vitin 2020 kur u zgjodh në krye të inteligjencës amerikane, pak minuta më pas, Ratcliffe u pa një lokalin e një shqiptari nga Kosova, që jeton në Dallas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Më 2016, Ratcliffe kishte qenë i pranishëm dhe kishte mbajtur fjalë rasti në cilësinë e të ftuarit të veçantë në “Forumin Ekonomik Mbarëkombëtar të Diasporës Shqiptare” në New York, i organizuar nga rrjeti shqiptaro-amerikan.
Në disa takime të tjera shihen fotografi të Ratcliffet me Pandeli Majkon, ministër i Shqipërisë për Diasporën dhe me Fatmir Mediun, ish-ministër i Mbrojtjes në Shqipëri.
Takime me të kanë pasur edhe zyrtarë nga Kosova, përfshirë deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Kongresisti Ratcliffe është mik i afërt me biznesmenë shqiptarë në Amerikë. Kjo dëshmohet nga fotografitë e postuara në rrjete sociale nga këta biznesmenë.