Izedin Bytyqit i vazhdohet arresti shtëpiak edhe për një muaj, e Naser Hafizit paraburgimi edhe për dy muaj

by Nexhat

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj ushtruesit të detyrës së drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore (ARPL) në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), Naser Hafizi. Kurse, Izedin Bytyqit- zëvendëssekretar në MMPHI, ia vazhdoi arrestin shtëpiak edhe për një muaj.

Bytyqi dyshohet për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” dhe “Armëmbajtje pa leje”, kurse Hafizi për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”, “Shpëlarje të parave” dhe “Mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë të të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”.

banner

“Ju njoftojmë se me datë 08.11.2024 Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit, në çështjen penale ndaj të pandehurit N.H. Të pandehurit N.H i është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej (2) muaj, respektivisht nga data 10.11.2024 deri me 10.01.2025”, thuhet në përgjigjen e Gashit.

Kurse, për Bytyqin në përgjigjen e zëdhënëses thuhet se masa e arrestit shtëpiak i është vazhduar deri më 8 dhjetor 2024.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak në çështjen penale ndaj të pandehurit I.B. Të pandehurit I.B i është vazhduar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej (1) muaj, respektivisht deri me datë 08.12.2024″, thuhet ne pergjigjen e Gashit.

Kujtojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë më 9 tetor kishte aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës duke ia caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditësh, Izedin Bytyqit– zëvendëssekretar në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe armëmbajtje pa leje

Sipas dosjes së Prokurorisë të siguruar “Betimi për Drejtësi”, Bytyqi po dyshohet se ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare dhe me dashje ka tejkaluar kompetencat e tij, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për ujërat e Kosovës si dhe udhëzimin për strukturën e pagesave ujore, duke e anashkaluar në tërësi raportin e grupit ministror i cili ishte formuar me qëllim për të përllogaritur borxhin për ambalazhuesve ndaj ARPL-së, sipas të cilit raport vlera e përgjithshme e borxheve të krijuara nga këta operatorë ekonomikë është 19,297,447.47 euro.

Aty thuhet se dyshuari Bytyqi pa bazë ligjore, si dhe pa verifikuar faktet, ka nxjerrë vendime të kundërligjshme për zvogëlimin e borxhit të disa operatorëve ekonomikë me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete apo për persona të tjerë, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit.

E për Hafizin, fillimisht Gjykata Themelore në Prishtinë përmes vendimit të 11 tetorit 2024 ia caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, Naser Hafizit nën dyshimin për “Keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”, “Shpëlarje të parave” dhe “Mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë të të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”. Kurse, Gjykata e Apelit përmes aktvendimit të 18 tetorit 2024, kishte gjetur se ankesa e mbrojtjes së të pandehurit është e pabazuar dhe vendosi që Hafizin ta lë në paraburgim.

Ndryshe, sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, borxhi që operatorët ekonomikë kishin ndaj Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore (ARPL) ishte afër 20 milionë euro. Mirëpo, Naser Hafizi dyshohet se kundërligjshëm ka iniciuar nxjerrjen e vendimeve për zvogëlimin e borxheve.

Në vendimin e 11 tetortit 2024 të Themelores për caktimin e paraburgimit, thuhet se ekziston dyshimi se Hafizi ka kryer veprat në cilësinë e zëvendësuesit të drejtorit të ARPL-së në MMPHI, në kundërshtim me Ligjin për Ujërat e Kosovës, udhëzimin administrativ Nr. 06/2021 për Strukturën e pagesave Ujore, si dhe ka anashkaluar raportin e Grupit Ministror, i cili ishte formuar për qëllim të përllogaritjes së borxheve të ambalazhuesve ndaj ARPL-së.

Aty thuhet se raporti në fjalë tregonte se vlera e përgjithshme e borxheve të krijuara nga operatorët ekonomikë është 19,297,447.67 euro, ndërsa i pandehuri pa bazë ligjore ka iniciuar nxjerrjen e vendimeve të paligjshme për zvogëlimin e borxheve të disa operatorëve ekonomikë, me qëllim të përfitimit për veten ose për persona të tjerë në mënyrë të kundërligjshme, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës.

Tutje, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Naser Hafizi duke e ditur se pasuria e tij buron nga aktiviteti i paligjshëm dhe është e fituar me kryerjen e veprës penale, me qëllim të fshehjes së burimit të vërtetë të pasurisë, të hollat- paratë kesh i ka futur në sistemin bankar me qëllim që këto para të kundërligjshme të duken si të ligjshme.

Në anën tjetër, thuhet se Hafizi në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, ka qenë i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, por që nuk kishte paraqitur saktë të dhënat e kërkuara. Përkatësisht, për vitin 2020 nuk ka deklaruar banesën në rrugën “Bill Klinton”, edhe që më 2022 kishte blerë një banesë tjetër në Fushë-Kosovë dhe nuk e ka deklaruar një banesë që e kishte blerë më 2023, e që e kishte obligim ta deklarojë më 2024. Detajet nga Dosja për Hafizin mund t’i gjeni: KËTU

Naser Hafizi, i cili mban pozitën ushtruesit të detyrës së drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ishte arrestuar më 10 tetor 2024 nën dyshimin për “Keqpërdorim të detyrës e autoritetit zyrtar”, “Shpëlarje të parave” dhe “Mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë të të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”.

Prokuroria Speciale, gjatë aksionit më 8 tetor kishte bërë të ditur se Hafizi nuk është gjetur në vendbanimin e tij.

Kurse, një ditë më parë përmes një komunikate nga PSRK, është thënë se gjatë bastisjes janë sekuestruar një revole e tipit “Mauser-Werkr” me dy karikatorë e shtatë fishekë, 34 dokumente të ndryshme, tre telefona, 17 USB, tre laptopë, 4 shtëpiza të kompjuterit, e po ashtu dokumente të rëndësishme për procedurën hetimore. Po ashtu, është lëshuar urdhër i përkohshëm ndalimi për 6 banesa me lokacione në Prishtinë e Fushë-Kosovë

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy