IKD: Qeveria dhe Kuvendi të nisin me urgjencë zbatimin e aktgjykimit për Ligjin për Pagat në Sektorin Publik

by Nexhat

Prishtinë-Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të National Endowment for Democracy, më 15 nëntor 2024, organizuan takim diskutues së bashku me Sindakatën e Pavarur të Administratës së Kosovës dhe Federatën e Shëndetësisë, për ta trajtuar mosrespektimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Melos Kolshi, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se mosrespektimi i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, paraqet sfidë për rendin kushtetues të Republikën e Kosovës e gjithashtu edhe për drejtësinë sociale.

banner

Hulumtuesi i IKD-së shtoi se as Qeveria e as Kuvendi nuk kanë ndërmarrë hapa për ta përmbushur obligimin kushtetues, brenda afatit të përcaktuar, që ka dalë nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Paga në Sektorin Publik.

Ndërsa, Naim Jakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se aktualisht Kuvendi dhe Qeveria janë në shkelje kushtetuese për moszbatimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

“Mosmiratimi i ndryshimeve në Ligjin për Pagat në Sektorin Publik nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës brenda afatit të përcaktuar sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, paraqet shkelje të këtij aktgjykimi, shpërfillje të kësaj Gjykate, shkelje të Kushtetutës, cenim të të drejtave në shtesë të pagës sipas përvojës së punës të dhjetëra-mijëra shërbyesve civilë në Kosovë, si dhe krijohet një praktikë e dëmshme për promovimin e demokracisë”, tha Jakaj.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës i përgjigjet Kuvendit për të gjitha vendimet dhe veprimet e saj, ndërsa kryeministri, zëvendëskryeministrat dhe ministrat janë të lidhur në përgjegjësi të përbashkët për çdo vendim të marrë nga Qeveria.

“Secili prej tyre, përveç përgjegjësisë kolektive, ka gjithashtu përgjegjësinë individuale për vendimet ose mosvendimet që lidhen me fushat e tyre specifike të kompetencës”, shtoi hulumtuesi i lartë i IKD.

IKD i ka bërë thirrje Qeverisë dhe Kuvendit të marrin me urgjencë masat e nevojshme për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe për të miratuar ndryshimet e kërkuara në Ligjin për Pagat në Sektorin Publik

“Ne kërkojmë që Qeveria dhe Kuvendi të përfshijnë të gjitha palët e interesuara, përfshirë Sindikatën e Shërbyesve Civilë, shoqërinë civile dhe akterët e tjerë të rëndësishëm, për të siguruar reformë të drejtë dhe të qëndrueshme që mbron të drejtat e shërbyesve civilë dhe garanton një sistem transparent dhe të drejtë të pagave në sektorin publik”, tha Jakaj.

Kurse, Tevide Imeri, kryetare e Federatës së Shëndetësisë, lidhur me moszbatimin e këtij aktgjykimi tha se si Sindikatë kanë kërkuar nga institucionet përgjegjëse të zbatojnë këtë aktgjykim, por që sipas saj kanë hasur në ‘vesh të shurdhër’.

“Ne si Federatë, në muajin maj kemi adresuar kërkesë të gjitha institucioneve përgjegjëse të cilat janë të thirrura për ta zbatuar këtë aktgjykim, megjithatë nuk kemi has në ndonjë përgjigje.  Pastaj, ju kemi drejtuar ministrit sepse ministrin e kemi partner për dialog social, duke ju drejtu me kërkesë shtesë, duke i kërku që shtesat të respektohen sepse vendimet janë në fuqi akoma të nënshkrume, nuk janë të shfuqizuara, por edhe aty kemi has në vesh të shurdhër”, ka thënë Imeri.

Ndërkaq, Ali Gashi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Administratës Publike (SPAK), tha se Qeveria aktuale e Kosovës e ka bërë model shkeljen e Kushtetutës, duke mos i respektuar vendimet e saj dhe kjo e promovon mosdëgjueshmërinë qytetare në raport me shtetin.

Ai tha se kemi të bëjmë me një situatë shqetësuese, që sipas tij këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me një shkelje

“Nga ky mosrespekt që i bëhet aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese po lindin dy pasoja dhe ato për faktin sepse Gjykata Kushtetuese e ka thënë në mënyrë të qartë se Ligji mbi Pagat ka kundërthënie dhe nuk është në harmoni me Gjykatën Kushtetuese, që mund të konstatojmë që ka defekt. Pastaj, pasoja e dytë është që, kjo Qeveri, krahas që nuk ka ndërhy të bëjë përmirësimin e duhur në Ligjin e Pagave, nuk ka vepru me respekt edhe të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ku në mënyrë specifike edhe i sqaron dhe rekomandon që të bëjë plotësim-ndryshimin e Ligjit të Pagave”, thotë Gashi.

Përveç Ligjit për Pagën e Zyrtarëve Publikë, shqetësues është edhe Ligji për Zyrtarët Publikë, thotë Ali Gashi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Administratës Publike./BetimipërDrejtësi

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy