Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit ka mohuar “kategorikisht” raportin e The New York Times që përshkruante një takim të mundshëm mes ambasadorit të Iranit në Kombet e Bashkuara dhe miliarderit amerikan të teknologjisë, Elon Musk, raportuan mediat shtetërore.
Në një intervistë për agjencinë shtetërore të lajmeve IRNA, zëdhënësi Esmaeil Baghaei u shpreh duke “mohuar kategorikisht një takim të tillë” dhe shprehu “habinë ndaj mënyrës se si e ka mbuluar media amerikane këtë çështje.”
The New York Times raportoi të premten se Musk, një aleat i ngushtë i Presidentit të zgjedhur Donald Trump, kishte takuar më herët gjatë javës ambasadorin iranian në OKB, Amir Saeid Iravani. Artikulli citonte burime iraniane anonimë që e përshkruanin takimin si “pozitiv”.
Gazetat iraniane, veçanërisht ato të lidhura me partinë reformiste që mbështet Presidentin Masoud Pezeshkian, e përshkruan takimin në terma pozitivë, përpara se të dilte deklarata e Baghaei.
Gjatë javëve që çuan në rizgjedhjen e Trumpit, zyrtarët iranianë kanë dhënë sinjale të gatishmërisë për të zgjidhur çështje të ndryshme me Perëndimin. Kjo ka ndodhur në një moment kur marrëdhëniet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara janë tensionuar ndjeshëm që nga Lufta e Ftohtë dhe pas Revolucionit Islamik të vitit 1979 që shpalli rënien e shahu të mbështetur nga SHBA, Mohammad Reza Pahlavi.
Pas kësaj periudhe, dy vendet kanë mbajtur komunikim përmes ambasadës zvicerane në Teheran dhe Sultanatit të Omanit./Informim.net