Presidenti Volodymyr Zelenski ka thënë se Ukraina duhet të bëjë gjithçka që mundet për të siguruar që lufta me Rusinë të përfundojë vitin e ardhshëm përmes diplomacisë, duke komentuar në një moment vendimtar pas fitores së Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale amerikane dhe përparimeve të ngadalta të ushtrisë ruse në fushën e betejës.
Megjithatë, Zelenski tha se Presidenti rus Vladimir Putin nuk ishte i interesuar për një marrëveshje paqeje dhe argumentoi se për Moskën ishte e përshtatshme të ulej për bisedime, duke vazhduar luftën.
“Nga ana jonë, ne duhet të bëjmë gjithçka që kjo luftë të përfundojë vitin e ardhshëm, të përfundojë përmes mjeteve diplomatike”, tha Zelenski në një intervistë për radion ukrainase të transmetuar të shtunën.
Ambasadori i Moskës në OKB në Gjenevë tha të enjten se Rusia do të ishte e hapur për negociata për përfundimin e luftës nëse ato do të niste nga Trump, megjithatë ai shtoi se këto do të duhej të njihnin “realitetet në terren”.
Moska përdor këtë frazë për të nënkuptuar se Ukraina do të duhej të heqë dorë nga katër rajone që forcat ruse i kanë pushtuar pjesërisht dhe që Rusia i ka kërkuar ato në tërësi.
Zelenski ka thënë shpesh që nga pushtimi i plotë i Rusisë në shkurt të vitit 2022, se paqja nuk mund të arrihet deri sa të gjithë forcat ruse të dëbohen dhe çdo territor i pushtuar nga Moska, përfshirë Krimenë, të kthehet.
Megjithatë, një rikthim në kufijtë ndërkombëtarisht të njohur të Ukrainës të vitit 1991 nuk u përmend në “planin e fitores” që ai e prezantoi publikisht muajin e kaluar.
Zelenski tha se lufta ka gjasa të përfundojë më shpejt nën drejtimin e Trumpit, i cili ka thënë shpesh gjatë fushatës së tij se do ta përfundonte shpejt konfliktin, pa dhënë detaje të sakta.
Zelenski shtoi se ligji amerikan i ndalon të takojë Trumpin para inaugurimit të tij më 20 janar.
“Ne do të bëjmë gjithçka që varet nga ne (për të siguruar një takim). Kemi pasur një takim të shkëlqyer në shtator”, tha Zelenski, duke shtuar se do të fliste vetëm me Trumpin personalisht dhe jo me ndonjë dërgues ose këshilltar.
Situata në Ukrainën Lindore
Zelenski pranoi se situata në lindje të Ukrainës ishte e vështirë dhe se Rusia po bënte përparime.
Forcat e Moskës aktualisht po përqendrohen në Kurakhove, i cili ka një central termik dhe ndodhet vetëm 7 km (4 milje) nga Pokrovski, një qytet i madh që për një pjesë të gjatë të luftës ka qenë një nga lidhjet logjistike kryesore të Ukrainës.
Në fushat e betejës në lindje të Ukrainës, Rusia tani po ecën me ritmin më të shpejtë që nga ditët e para të luftës në vitin 2022.
Zelenski tha se situata ishte e vështirë për disa arsye, njëra prej të cilave ishin vonesat prej deri në një vit për pajisjen e brigadave, pjesërisht për shkak të muajve të vonesës nga Kongresi amerikan gjatë dimrit të kaluar në miratimin e ndihmës për Ukrainën.
Megjithatë, ai tha se disa nga këto brigada tani do të futen në luftë. “Për të ndaluar ushtrinë ruse, do të mbërrijnë tani rezerva të reja, të pajisura me armët që kemi pritur kaq gjatë”, tha ai.
Ukraina ka kërkuar të rrisë prodhimin e vet të armëve për të zvogëluar varësinë nga aleatët. Zelenski tha se Ukraina tani po prodhon katër lloje të ndryshme raketash, të cilat aktualisht janë në fazën e testimit./Informim.net