Mustafa i PDK-së: Kërkojmë shkarkimin e ministrit Peci, Fitore Pacollit dhe të nisin hetimet për skandalin e 100 mijë eurove

by Nexhat

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa ka kërkuar shkarkimin e ministrit të Bujqësisë, Faton Peci dhe të deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli nga pozita e kryetares së Komisionit Parlamentar për Bujqësi/

Ai kërkoi në një konferencë për media që ndaj Pecit të nisin hetime penale “për të verifikuar rrethanat nëse i njëjti ka ndikuar që një vëlla i deputetes të përfitojë rreth 100 mijë euro grant”.

banner

Kjo, Mustafa tha se “përbën vetëm një dëshmi se si zyrtarët më të lartë shtetërorë të këtij pushteti po i shfrytëzojnë dhe i shpërdorojnë institucionet publike për të përfituar ata dhe familjarët e ngushtë të tyre nga paratë e taksapaguesve të Kosovës”.

“Ky skandal nuk është aspak i rastësishëm sepse Fitore Pacolli është Kryetare e Komisionit Parlamentar për Bujqësi, komision të cilit i raporton Ministri i Bujqësisë, Faton Peci. Siç u dëshmua tani më, vëllai i deputetes Pacolli, biznesin e tij e kishte themeluar pas aplikimit për projekt dhe vetëm 4 ditë para nënshkrimit të kontratës, gjë që ngre dyshime të mëdha për montimin dhe orkestrimin e përfitimit të këtij projekti, për motive të cilat duhet të zbardhen nga insititucionet e drejtësisë”, tha Mustafa.

Ai tha se ministri Peci do të duhej të raportonte në Komisionin Parlamentar për Bujqësi, por “ngase ka akomoduar interesat e ngushta financiare të familjes së kryetares së këtij Komisioni Fitore Pacolli”, ajo “nuk e ka kredibilitetin që ta ftojë në raportim”.

“Prandaj, ne kërkojmë shkarkimin e Fitore Pacollit nga pozita e kryetares së këtij komisioni, pasi që konsiderojmë se këtë funksion e ka shfrytëzuar me qëllim të ushtrimit të ndikimit, i cili ka quar në përfitimin e grantit në vlerë rreth 100 mijë euro nga vëllau i saj. Nga ana tjetër, për ministrin Peci, as dorëheqja e as shkarkimi nuk mjaftojnë. Ndaj tij kërkojmë që të zhvillohen hetime penale për të verifikuar rrethanat nëse i njëjti ka ndikuar që një vëlla i deputetes të përfitojë rreth 100 mijë euro dhe nëse ky përfitim është rezultat i raportit të vartësisë zyrtare që ky ministër e ka me komisionin të cilin e udhëheqë Fitore Pacolli”, tha Mustafa.

Ai tha se skandali thellohet edhe më shumë, kur në të njëjtin afat për grante i është refuzuar përkrahja zonjës Fahrije Hoti, si njëra prej grave heroina të Krushës.

Mustafa foli edhe për ngutinë që tha se u bë për aprovimin e buxhetit për vitin 2025.

“Tash po krijohet dyshimi i bazuar se në buxhetin 2025 kanë kurdisur përfitime të tilla për njerëzit e tyre, pavarësisht faktit se ky pushtet nuk do të jetë aty për ta zbatuar buxhetin e ardhshëm”, tha ai.

Në fund, Mustafa tha se tash kur zgjedhjet parlamentare mbahen edhe pak muaj “ky pushtet edhe mund ti ikë përgjegjësisë për të dhënë llogari në Kuvendin e Kosovës, por nuk mund ti ikë llogaridhënies para qytetarëve më 9 shkurt”. Atë ditë, tha se “do ta marrin verdiktin e merituar për këto abuzime të njëpasnjëshme”.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy