Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kritikuar premtimet e qeverisë për bonuset e pensionistëve, duke i quajtur ato si një manovër elektorale, pa mbështetje konkrete në buxhetin e vitit 2025
E ftuar në “Open” në News24, Tabaku theksoi se këto premtime nuk janë të pasqyruara në buxhetin e diskutuar dhe janë pjesë e një fushate për të fituar vota nga pensionistët
Ajo e cilësoi bonusin një herë në vit si një zgjidhje të përkohshme, duke theksuar se pensionistët janë të prekur nga rritja e çmimeve dhe qëllimi i qeverisë është thjesht përfitimi politik. “Pensionistët janë përdorur për fushatë dhe kjo është tallje,” tha Tabaku, duke shtuar se skema e pensioneve është dështuar dhe kërkon një reformë të qëndrueshme.
Tabaku kërkoi një sistem më të fortë dhe afatgjatë për pensionet, duke theksuar se bonuset nuk mund të zgjidhin problemet e pensionistëve, që kërkojnë mbështetje më të qëndrueshme dhe jo masa të përkohshme.
“Çdo gjë që u deklarua nuk është e shkruar askund. Në buxhetin e 2025-ës asnjë nga deklaratat politike nuk reflektohet. Është ende në kuadrin e një premtimi. Duke qenë se janë para vështirësisë se pensionistët janë shtresa që ka vuajtur më shumë rritjen e çmimeve detyrohen të deklarojnë një fond të veçantë për bonuset. Është fatkeqësi që Shqipëria bën fushatë me pensionistët sot dhe e konsideroj tallje me pensionistët. Rritja e çmimeve ka prekur shtresat më të varfra dhe sot u pranua se skema e pensioneve ka dështuar. Faktori demografik u pranua po ashtu sot dhe skema e pensioneve bëhet kështu një kështjellë rëre që është duke rënë
Bonusi është vetëm një herë, duhet një skemë e qëndrueshme për pensionet. Ky premtim është elektoral sepse nuk ka ndodhur dy vitet e fundit”, u shpreh ajo