Golashënuesi i vetëm i Kosovës në fitoren ndaj Lituanisë, Muharrem Jashari, ka deklaruar se është shumë i lumtur që u arritën tri pikë.
Jashari u përjashtua nga loja me karton të kuq pak para mbylljes së pjesës së parë
Ai foli për emocionet, ndërsa ka falënderuar bashkëlojtarët për fitoren dhe trajnerin për besimin.
“Emocion shumë i veçantë, i papërshkrueshëm. Më shumë jam i lumtur për fitoren. I falënderoj jashtëzakonisht bashkëlojtarët që u angazhuan në pjesën e dytë. Kishin barrë shtesë pasi ishin me një lojtar më pak”.
“Ndoshta kam menduar se nuk është as karton i verdhë. E kam prekur pak në këmbë, por për mua nuk ishte karton i kuq. Kemi luajtur shumë mirë taktikisht. E kemi analizuar kundërshtarin. Nuk është pozita ime e zakonshme, kjo në krahun e majtë, por e kam luajtur edhe më parë. E falënderoj trajnerin që më ka dhënë besimin”, deklaroi fillimisht ai
Tutje, Jashari ka treguar se ka luajtur në krahun e majtë te Trepça ’89 dhe pak te Drita dhe e njeh atë pozitë.
“I gjithë rrugëtimi nuk ishte i lehtë. Jam shumë i lumtur me gjithë lojtarët, me gjithë stafin, për këto katër ndeshje që isha i grumbulluar. Golin ia dedikoj familjes sime”, deklaroi Jashari