Hoxhaj thotë se po tentohet minimi i Marrëveshjes së Ohrit e Planit të Ahtisaarit: Kjo është kundër interesave të shqiptarëve

by Nexhat

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, aktualisht nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me mbledhjen e përbashkët të qeverive të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut që po zhvillohet sot në Prishtinë.

Hoxhaj tha se para 10 vitesh e ka hedhur idenë për organizimin e mbledhjeve të përbashkëta të qeverive. Megjithatë, ai ngriti shqetësime serioze për qasjen e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut ndaj Marrëveshjes së Ohrit dhe për cenimin e gjuhës shqipe në këtë shtet.

banner

“Gjuha shqipe është e gjithë shqiptarëve, jo e një partie politike, por e gjithë popullit shqiptar kudo që jeton në Ballkan”, shkroi Hoxhaj.

Ai kritikoi edhe Qeverinë e Kosovës, duke e akuzuar për përpjekje për ta rikonfiguruar Planin e Ahtisaarit. Hoxhaj e vlerësoi këtë qasje si të dëmshme për interesat kombëtare dhe partneritetin perëndimor në rajon.

“Çdo përpjekje për të minuar Marrëveshjen e Ohrit dhe Planin e Ahtisaarit është kundër interesave të shqiptarëve dhe të partnerëve perëndimorë në Ballkan”, shkroi ai.

Shkrimi i plotë i Enver Hoxhajt:

Sot në Prishtinë takohen dy qeveritë, ajo e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut dhe gjithmonë kam qenë në mbështetje të mbledhjeve të përbashkëta! Personalisht, e kam hedhur idenë në Qeverinë e Kosovës dhe kemi miratuar konceptin e mbledhjes së përbashkët të qeverive para 10 vitesh. Është mirë që deri më tani ka pasur mbledhje të përbashkëta, por e veçanta e kësaj mbledhjeje është kjo:

Sot vjen në Kosovë Qeveria e Maqedonisë së Veriut, e cila është e përkushtuar që ta përmbysë dhe ta rikonfigurojë Marrëveshjen e Ohrit, e cila është arritja më e madhe e vetë shqiptarëve në Maqedoni. Sot pres që Qeveria e Kosovës ta ngrejë çështjen e cenimit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut. Gjuha shqipe është e shqiptarëve, jo e një partie politike, por e gjithë popullit shqiptar kudo që jeton në Ballkan. Qeveria e Kosovës duhet ta ngrisë sot zërin edhe për aktet e shëmtuara të arrestimit të veteranëve të UÇK-së në Maqedoninë e Veriut!

Mjerisht, kemi një Qeveri të Kosovës, e cila ka bërë çdo gjë që ta rikonfigurojë Planin e Ahtisaarit, që është themeli i pavarësisë së Kosovës, njësoj sikurse tentativat për ta zhbërë Marrëveshjen e Ohrit, që është arritja më e madhe politike e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut!

Çfarë më shqetëson mua është se çdo përpjekje për të minuar Marrëveshjen e Ohrit dhe Planin e Ahtisaarit, dhe për të rikonfiguruar realitetin politik të krijuar nga ato, është kundër interesave të shqiptarëve dhe të partnerëve perëndimorë në Ballkan!

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy