Ekspertët thonë se pensionet dhe sigurimet shëndetësore, janë pengesat kryesore për familjet që jetojnë në Kosovë.
Gjatë debatit të fundit në emisionin Tv Dukagjini analisti Ylli Hoxha dhe ish-drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, Vebi Mujku, kanë diskutuar rreth varfërisë në Kosovë dhe problemeve të menaxhimit të skemave sociale
Ylli Hoxha theksoi se sipas statistikave të publikuara nga UNDP, Kosova mbetet një vend i varfër, me një numër të madh qytetarësh që përballen me varfëri të thellë.
Kjo situatë, sipas tij, po nxit migrimin e popullsisë.
“Edhe ata që statistikat nuk i kualifikojnë si të varfër, jetojnë në kushte të vështira. Kjo krijon klimë të shpërnguljes, që po e përjetojmë prej vitesh,” tha Hoxha.
Ai kritikoi mënyrën e menaxhimit të buxhetit për skemat sociale, duke përmendur se pensionet e pleqërisë dhe mungesa e sigurimeve shëndetësore mbeten barriera kryesore për qytetarët
Sipas Hoxhës, fondet për pensionet duhet të ndahen veçmas, si në vendet e tjera, ndërsa mungesa e sigurimeve shëndetësore për më shumë se dy dekada ka shkaktuar shpenzime të mëdha për familjet në trajtime mjekësore dhe medikamente.
Vebi Mujku, nga ana tjetër, theksoi se skemat e ndihmës sociale në Kosovë menaxhohen kryesisht me vendime qeveritare dhe jo me ligje. Ai vuri në dukje mungesën e shtresës së mesme në shoqërinë kosovare dhe abuzimet me skemat sociale.
“Njerëzit abuzojnë me skemat sociale, veçanërisht në kategorinë e punëkërkuesve. Kemi 6-7 mijë familje në këtë kategori, ndërsa të njëjtën kohë kemi edhe 6-7 mijë vende të lira pune në zyrat e punësimit. Ligjet nuk zbatohen siç duhet,” tha Mujku.
Ai gjithashtu kritikoi vendimin e fundit të qeverisë që lejon punësimin e përkohshëm të përfituesve të ndihmës sociale, duke i dhënë atyre subvencione shtesë pa ndërprerë ndihmat për një periudhë gjashtëmujore
Sipas Mujkut, kjo krijon diskriminim ndërmjet kategorive të ndryshme të përfituesve.
Ekspertët theksuan nevojën për reforma të thella në sistemin e skemave sociale, përfshirë zbatimin rigoroz të ligjeve, menaxhimin e fondit të pensioneve dhe krijimin e mekanizmave për të parandaluar abuzimet.
Varfëria dhe keqmenaxhimi i burimeve mbeten sfida kryesore për zhvillimin social dhe ekonomik të Kosovës, duke kërkuar vëmendje të shtuar nga institucionet dhe qeveria.