Një sulm ajror izraelit goditi të hënën vonë një zonë me popullsi të dendur në kryeqytetin e Libanit pranë ndërtesave kryesore qeveritare dhe diplomatike. Sulmi që shkaktoi vdekjen e të paktën pesë personave, ndodh ndërsa Uashingtoni po vazhdon përpjekjet për arritjen e armëpushimit.
Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit tha se dy raketa goditën lagjen Zoqaq al-Blat ku ndodhen selia lokale e OKB-së, parlamenti dhe zyra e kryeministrit të Libanit
Që nga fundi i shtatorit, Izraeli ka përshkallëzuar në mënyrë dramatike bombardimet ndaj Libanit, duke u zotuar të dobësojë grupin militant Hezbollah, të mbështetur nga Irani dhe të ndërpresë sulmeve të tij me raketa ndaj Izraelit. Grupi militant libanez ka thënë se kryen sulme me raketa ndaj Izraelit në solidaritet me palestinezët që janë të përfshirë në luftë me Izraelin në Gazë.
Shtetet e Bashkuara kanë vazhduar përpjekjet për arritjen e një armëpushimi që do të largonte forcat tokësore izraelite nga Libani dhe do t’i shtynte forcat e Hezbollahut larg kufirit izraelit. Kryetari i Parlamentit të Libanit, Nabih Berri, aleat i grupit Hezbollah që përfaqëson militantët në negociata, pritet të takohet me të dërguarin amerikan Amos Hochstein në kryeqytetin libanez të martën. Shtëpia e Bardhë nuk e ka konfirmuar vizitën e zotit Hochstein.
Ministri libanez i Punës, Mostafa Bayram, i cili u takua me zotin Berri të hënën, tha se Libani ka “qëndrim pozitiv” ndaj propozimit të fundit të Shteteve të Bashkuara.
Ushtria izraelite nuk komentoi për sulmin, i cili gjithashtu plagosi 24 persona, sipas Ministrisë libaneze të Shëndetësisë.
Shumë zona në Bejrutin qendror, përfshirë lagjen Zoqaq al-Blat, janë bërë strehë për shumicën e rreth 1 milion njerëzve të zhvendosur nga konflikti i vazhdueshëm në Libanin jugor dhe periferitë jugore të Bejrutit. Sulmi ndodhi gjithashtu pranë një xhamie shiite, Hussainiye.
Objektivi i sulmit ajror mbetët i paqartë. Ushtria izraelite gjithashtu nuk dha një paralajmërim paraprak për sulmin. Sirenat e ambulancës jehonin nëpër rrugë ndërsa një fotograf i agjencisë së lajmeve ‘Associated Press’ njoftoi se kishte shumë viktima në rrugë.
Kjo është dita e dytë e sulmeve izraelite në qendër të Bejrutit pas më shumë se një muaji. Gjatë fundjavës, një sulm në zonën Ras el-Nabaa vrau zëdhënësin e grupit Hezbollah, Mohammed Afif, së bashku me gjashtë persona të tjerë, përfshirë një grua. Në të njejtën kohë, katër persona u vranë në një sulm tjetër në zonën tregtare Mar Elias.
Ushtria izraelite nuk ka thënë se cili ishte objektivi i atij sulmi.
Pak minuta pas sulmit të hënën, kryeministri në detyrë i Libanit Najib Mikati shkroi në rrjetin social X: “Të gjitha vendet dhe vendimmarrësit u kërkohet t’i japin fund agresionit të përgjakshëm dhe shkatërrues izraelit ndaj Libanit dhe të zbatojnë rezolutat ndërkombëtare, veçanërisht Rezolutën 1701”.
Rezoluta 1701 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e miratuar në vitin 2006, i dha fund luftës një mujore mes Izraelit dhe grupit militant Hezbollah. Rezoluta synonte të krijonte një zonë neutrale në Libanin jugor. Megjithatë, zbatimi i plotë i rezolutës është përballur me sfida nga të dyja palët
Rezoluta po diskutohet në kuadër të propozimit amerikan për një marrëveshje armëpushimi, që synon t’u japë fund 13 muajve të sulmeve midis Izraelit dhe grupit libanez që Uashingtoni e ka shpallur si organizatë terroriste.
Propozimi parashikon që forcat tokësore izraelite, të cilat filluan një ofensivë në Libanin jugor më 1 tetor, të tërhiqen plotësisht nga Libani. Ushtria libaneze dhe forca paqeruajtëse e OKB-së UNIFIL do të ishin të vetmet që do të ishin të pranishme në jug të lumit libanez Litani. Hezbollahu do të tërhiqej nga zona.
Një diplomat perëndimor që ka njohuri mbi bisedimet i tha agjencisë së lajmeve ‘Associated Press’ se ka “një optimizëm të përmbajtur’. Diplomati, duke folur në kushte anonimiteti, tha se një marrëveshje përfundimtare, megjithatë, ishte “ende në dorë” të palëve ndërluftuese.
Izraeli thuhet se po kërkon garanci se mund të vazhdojë të veprojë ushtarakisht kundër Hezbollahut nëse është e nevojshme, një kërkesë që libanezët nuk ka gjasa ta pranojnë. Zëdhënësi i qeverisë izraelite, David Mencer tha se Izraeli do të vazhdojë të sulmojë infrastrukturën e Hezbollahut, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera po vazhdojnë negociatat për armëpushimin. “Fushata ushtarake do të vazhdojë derisa të zhduket kërcënimi i menjëhershëm nga Libani”, tha ai
Grupi militant Hezbollah, gjithashtu kreu një sulm ndaj Izraelit me dhjetëra raketa. Një raketë që goditi qytetin verior të Izraelit, Shfaram, vrau një grua dhe plagosi 10 të tjerë, sipas shërbimeve të shpëtimit të Izraelit Magen David Adom.
Mbi 3400 njerëz janë vrarë në Liban nga sulmet izraelite sipas ministrisë së shëndetësisë së Libanit.
Në Izrael, 77 persona, përfshirë 31 ushtarë, janë vrarë nga sulmet ajrore të grupit Hezbollah, ndërsa mbi 50 ushtarë janë vrarë gjatë ofensivës tokësore izraelite.
Izraeli ka thënë se synon të dobësojë Hezbollahun për të siguruar kthimin e mijëra izraelitëve në shtëpitë e tyre pranë kufirit me Libanin. /VOA