Ministrat e “Guxo” Gërvalla e Peci zhyten në skandale ndërkohë që mbështeten më fort krah partisë së Albin Kurtit

by Nexhat

Ambasadat e shtetit u shfrytëzuan për tubime elektorale te mërgimtarët, disa prej të cilëve nuk i morën as dokumentet nga shteti për shkak të një tjetër skandali të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ministria e Bujqësisë, në anën tjetër, i shpërbleu me grante nga 100 mijë euro familjarët e deputetes së zëshme të partisë së kryeministrit, nën logon e së cilës garojnë dhe qëndrojnë në pushtet dy kryetarët e partisë Guxo. Ministrat Donika Gërvalla e Faton Peci po përballen me skandale të njëpasnjëshme.

Partia Guxo, kryetare e së cilës ishte Vjosa Osmani deri në prill të vitit 2021, nuk i është ndarë partisë së kryeministrit Albin Kurti që prej kur garoi nën logon e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit 2021.

banner

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe ministri i Bujqësisë, Faton Peci i kanë qëndruar besnikë Kurtit, pavarësisht se presidentja, ajo që i futi në parti e në Qeveri, duket se nuk qëndron më në të njëjtën linjë me kryeministrin.

“Jemi dhe do të jemi bashkë edhe në procesin e ardhshëm zgjedhor”, thuhej në një komunikatë të lëshuar në fund të verës nga LVV, Guxo dhe Alternativa, ku të tri partitë thonin se nuk kishin arritur ta procedonin zyrtarisht në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve koalicionin parazgjedhor.

Gërvalla e Peci, që tash e udhëheqin bashkë partinë e “trashëguar” nga Osmani dhe e valvisin me krenari flamurin e qeverisjes nën Kurtin, janë vënë në qendër të kritikave muajve të fundit, duke u akuzuar për “hajni” dhe shërbimin e pandershëm që kritikët thonë se po ia bëjnë shefit të Qeverisë dhe partisë së tij.

Ministria e Punëve të Jashtme u mundua më kot të arsyetohet pas një skandali në lidhje me menaxhimin e postës diplomatike. Mbi 400 pasaporta, rreth 200 letërnjoftime e vendime për lirim/fitim të shtetësisë nuk kanë arritur në destinacion pasi kompania “A.L. Dushi” e kontraktuar nga MPJ-ja kishte dështuar ta kryente punën e saj.

MPJ u detyrua ta ndërpriste kontratën me këtë kompani. E përballur me këtë skandal, MPJ shpalli tender emergjent për shërbime postare diplomatike.

Për pranimin e ofertave u la një afat vetëm 24 orësh . Në këtë tender këtë herë aplikoi vetëm një kompani, e cila ne fakt nuk ka kryer kurrë shërbime të tilla për MPJ-në, dhe ishte e vetmja që mori pjesë, me një ofertë rreth 900% më të lartë se ai të cilin e kishte ofruar më herët kompania 3P – DHL Express. Këtë ofertë, MPJ e kishte konsideruar si “abnormalisht të ulët”.
Pa u mbyllur ky, MPJ e hapi edhe një tender për shërbimet postare në vlerë prej 250 mijë euro.

Pak muaj para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare që mbahen më 9 shkurt 2025, Gërvalla iu ka bashkuar Kurtit në një tur të tubimeve në diasporë, disa prej të cilave u organizuan nga ambasadat e shtetit në Austri, Gjermani e Norvegji.

Tubimet e tyre nisën në tetor në katër qytete të mëdha të Gjermanisë. Më pas tubime pati edhe në Paris, në Vjenë e në Oslo, e më pas sërish në Gjermani, në Frankfurt.

Shfrytëzimin e resurseve shtetërore dhe misioneve diplomatike për fushatë parazgjedhore e ka pohuar edhe kryediplomatja.

Ndonëse këto tubime s’i konsiderojnë si parazgjedhore, kryeministri dhe zëvendësja e tij në to më së shumti thanë lëvdata për punën e madhe që thonë se është bërë, kritika për pushtetet e kaluara e votimin e folën për përfshirjen e mërgimtarëve në zgjedhje në Kosovë.

Bashkëpunëtorit të Gërvallës që e udhëheq Ministrinë e Bujqësisë tash po i duhet të përballet me ktitikat për ndarjen e qindra mijëra eurove në formën e granteve për familjarë të deputetes së LVV-së, Fitore Pacolli, kryetare e Komisionit parlamentar për Bujqësi.

Ndërkohë u bë e ditur se Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë në kuadër të Ministrisë kishte refuzuar përkrahjen për blerjen e linjave të makinerive për përpunimin dhe konservimin e perimeve sivjet Kooperativës Bujqësore “Krusha” të Fahrije Hotit.

Peci shpërtheu me akuza ndaj opozitës, pasi aktivisti i LDK-së, Egzon Pacolli njoftoi se dikasteri i udhëhequr prej tij i kishte dhënë 100 mijë euro grant Blerim Pacollit, vëllait të deputetes së LVV-së. Paraprakisht, megjithatë e pranoi se vëllait të deputetes i është dhënë granti.

“Nëse opozita mendon se 438,000 votuesit e ndryshimit duhet të jenë të privuar nga të drejtat qytetare për të qenë përfitues të granteve dhe të punësimit, le ta harrojnë se mund të diktojnë vazhdimin e diskriminimit. Ndërsa forma e përfitimit të grantit dihet më së miri nga 1003 përfituesit aktualë”, u arsyetua fillimisht ministri.

Kriminelë, horra e madje edhe të shthurur mentalë i quajti ai zyrtarët opozitarë që kërkuan shkarkimin e tij.

“E nisi sulmin paterica e PDK-së, LDK ja e bitisi PDK-ja me kërkesa për shkarkime! Veç pritni kriminela!”, shkroi në Facebook.

Të hënën, sekretari i përgjithshëm i Forumit të Rinisë së LDK-së, Egzon Pacolli njoftoi për një tjetër grant që iu dha edhe dajës së deputetes Pacolli.

Përveç vëllait, ai tha se deputetja e LVV-së “ia ka nda 100.000 euro edhe dajës së saj” si grant përmes Ministrisë së Bujqësisë.

“Qysh bre Fitore, 100 mijë euro tash edhe dajës a?”, tha Egzon Pacolli në një video të publikuar në Facebook. “A e dini sa fermeri e bujku kanë mbetë pa përfitu grant nga thirrja?”.

Forumi i Rinisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës dorëzoi sot në Prokurori një kallëzim penal në lidhje me ndarjen e këtyre granteve.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy