Vladimir Shklyarov, ylli rus i baletit, ka vdekur në moshën 39-vjeçare pasi ra nga ndërtesa.
Teatri Mariinsky i Shën Petersburgut thotë se balerini po merrte qetësues për një dëmtim dhe ra nga kati i pestë. Ai ishte 39-vjeç.
Shklyarov vdiq pasi u rrëzua nga kati i pestë i një ndërtese të shtunën, tha një zëdhënës i Teatrit Mariinsky për gazetën Fontanka në fundjavë.
Zëdhënësja, Anna Kasatkina, tha për mediat ruse se Shklyarov kishte marrë qetësues për një dëmtim të shpinës dhe ishte planifikuar t’i nënshtrohej një operacioni në shtyllën kurrizore të hënën.
Ndërsa një hetim federal ka nisur për të hetuar vdekjen e balerinit, “shkaku paraprak” është cilësuar si një aksident, njoftoi agjencia ruse e lajmeve RIA Novosti.
I lindur në Shën Petersburg në 1985, Shklyarov iu bashkua Teatrit Mariinsky në 2003 dhe u bë balerini kryesor i tij, pozicioni më i lartë në një trupe baleti, në vitin 2011.
“Ngushëllimet tona për familjen e artistit, të dashurit, miqtë dhe të gjithë admiruesit e shumtë të punës dhe talentit të tij… ai e shënoi përgjithmonë emrin e tij në historinë e baletit botëror”, thuhet në njoftimin e trupës së baletit.
Gjatë gjithë karrierës së tij 20-vjeçare, Shklyarov luajti në produksionet e Liqenit të Mjellmave, Romeo dhe Zhuljeta, Bukuroshja e Fjetur, Don Kishoti dhe Liza në Botën e Çudirave. Ai interpretoi në të gjithë botën, duke përfshirë Operën Metropolitan në Neë York City dhe Royal Opera House në Londër.
Në vitin 2013 ai u martua me një balerin tjetër të Teatrit Mariinsky, Maria Shirinkina, me të cilën pati dy fëmijë.
Shklyarov dënoi pushtimin e Ukrainës nga Rusia në një postim, të fshirë më pas, në Instagram nga marsi i vitit 2022, duke deklaruar kundërshtimin e tij ndaj “të gjitha llojeve të veprimeve ushtarake”.
“Është e pamundur të shikosh gjithçka që po ndodh sot pa lot,” shkroi Shklyarov më atë kohë.
Ndryshe nga Olga Smirnova, një balerinë e talentuar e Baletit Bolshoi, e cila iku nga Rusia dhe u transferua në Evropë, Shklyarov vazhdoi të performonte në Rusi dhe u përmbajt nga komentet e mëtejshme për luftën.