Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli i ka reaguar edhe një herë ministrit të Bujqësisë, Faton Peci i cili tha mbrëmë se Pacolli i ka ofruar poste në AKR. Ai tha se Peci ka gënjyer për këtë, pasi sipas tij në listën e AKR-së nuk kishte vend për tashmë ministrin e Bujqësisë.
“Kërkoj ndjesë publike që po detyrohëm, për herë të fundit të merrem me këtë. Prapë ky Peci po *GENJEN*! Ndalu, more, mos gënje! A është për shkak të urtësisë dhe edukatës sime që nuk ke frikë dhe sulmon mua? Ndalu njëherë! Peci ka ardhur te unë para zgjedhjeve të vitit 2014 dhe ka kërkuar të jetë pjesë e listës së AKR-së, duke fyer LdK dhe lidershipin e saj. Unë nuk mund t’i ofroja një vend në listën e AKR-së. Pas mikpritjes së zakonshme në shtëpinë time, ai është larguar”, ka thënë ai.
Ai e quajti gënjeshtër edhe pretendimin e Pecit që kishte ofertë të bëhej shef i kabinetit të Agim Bahtirit në Mitrovicë, si për postin e zëvendësministrit të MPJ-së. Kjo pasi sipas Pacollit, Peci asokohe ishte i panjohur për ta, përcjell Gazeta Express.
“Peci po *GENJEN* kur pretendon se i kam ofruar të bëhej shef kabineti i Agim Bahtirit. Agim Bahtiri kishte ekipin e tij, dhe atëherë, Peci ishte i panjohur për ne. Peci po *GENJEN* kur pretendon se i kam ofruar postin e zëvendësministrit të MPJ-së. Si mund t’i ofroj dikujt diçka që ne nuk e posedonim? Në atë kohë, mandati ynë qeveritar kishte përfunduar; ishim në proces zgjedhor dhe, pa qenë pjesë e qeverisë, nuk kishim asnjë mundësi t’i ofronim një post të tillë”, shkroi Pacolli në një postim në “Facebook”.
Gjitha këto deklarata të Pecit, Pacolli i konsideroi se devijim të vëmendjes prej tij në Pacollin.
“Peci po *GENJEN* kur thotë se dikush në shtëpinë time i ka ofruar banesë ne Pr dhe 200,000 euro. Ai duhet të sjellë fakte për këtë genjeshtër, përndryshe do të duhet të përgjigjet para drejtësisë. Një akuzë e tillë është e rëndë dhe e natyrës korruptive. Peci nuk duhet të tentojë të devijojë vëmendjen duke njollosur emrin tim. Ai duhet të përballet me akuzat që po i bën gjithë Kosova ndaj tij”, tha ndër të tjera ai.